Janë identifikuar viktimat dhe të plagosurit e aksidentit tragjik në Tepelenë, ku katër persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Viktimat janë Riza Rapaj 42 vjeç, drejtuesit i makinës tip ‘Benz’; Lavdosh Bega 62 vjeç, drejtues i makinës ‘Toyota’, bashkëshortja e tij, Lefteri Bega 57 vjeç dhe Afërdita Meta 85 vjeç.
Ndërsa të plagosurit janë Lavdie Meta, 63 vjeç dhe Jani Meta, rreth 60 vjeç të dy në gjendje të rëndë, që pasi morën ndihmën e parë në Spitalin e Gjirokastrës, u nisën drejt Traumës në Tiranë.
Në këtë aksident tragjik u përfshinë 3 automjete.
Makina tip ‘Benz’ mendohet se humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë dhe përplasi makinën ‘Toyota’ që udhëtonte në korsinë tjetër, kurse ‘BMW-ja’ goditi nga pas ‘Toyotën’.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin R. R., 42 vjeç, banues në Luftinjë, është përplasur me automjeti tip “Toyota” me drejtues shtetasin L. B., 62 vjeç, banues në Memaliaj.
Në aksident është përfshirë edhe automjeti tip “BMV” me drejtues shtetasin E. P., banues në Gjirokastër, që qarkullonte pas automjetit tip “Toyota”.
Si pasojë e përplasjes së automjeteve kanë humbur jetën shtetasit R. R. dhe L. B., si dhe 2 pasagjeret që ndodheshin në automjetin tip “Toyota”, shtetaset L. B., rreth 57 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit L. B.) dhe A. B., rreth 85 vjeçe.
Gjithashtu janë dëmtuar shtetasit L. M. dhe J. M., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
Shtetasi E. P. dhe 2 pasagjerët në automjetin e tij janë dëmtuar lehtë.