Pas thuajse dy vitesh, Rey Manaj është sërish pjesë e kombëtares shqiptare. Sulmuesi po kalon një formë fantastike me Sivaspor në Superligën e Turqisë. Forma e tij ka tërhequr vëmendjen edhe të stafit teknik për ta pasur në kombëtare, me Manaj që do të ketë mundësinë për të treguar cilësitë në miqësoret ndaj Kilit dhe Suedisë.
“Kemi patur komunikime me trajnerin, por besoj se të gjithë lojtarët duhet ta tregojnë veten tek këto dy miqësoret dhe çdo stërvitje. Jam gati për europian, por pastaj do të zgjedhë trajneri vetë. Besoj të gjithë lojtarët janë të motivuar se Europiani është një gjë e madhe dhe sidomos të gjithë njerëzit, edhe tifozët edhe familjet e presin shumë këtë Europian.”
Pasi ka fituar simpatinë dhe zemrat e tifozëve të Beshiktash, Ernest Muçi kërkon të lë sërish gjurmë me kuqezinjtë. 22-vjeçari është gati për të marrë edhe përgjegjësi në kombëtare.
“Këto tre muaj janë shumë vendimtarë për të gjithë lojtarët që janë pjesë e kombëtares. Duhet të japim më të mirën edhe për klubet tona, por që normal duhet të mendojmë që të jemi pjesë e asaj liste, por që ajo është zgjedhje e trajnerit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën në këto dy miqësore dhe në ndeshjet e mbetura në kampionatet tona kështu që duhet të kemi një motivim ekstra për fundin e këtij kampionati. Besoj që duhet të punoj akoma më fortë, por me veten time ndihem shumë mirë fizikisht dhe në minutat që kam luajtur. Shpresoj që të bëjmë sa më mirë në këto dy miqësore dhe të tregojmë se jemi gati për një rol më të madh në kombëtare.”
Dy takimet do të luhen më 22 mars në Tardini kundër Kilit dhe tre ditë më pas në Stokholm përballë Suedisë.