Pas 5 muajsh bllokim, është mbajtur këtë enjte seanca e radhës plenare. E pranishme në këtë seancë ishte edhe Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, e cila ndër të tjera në fjalën e saj, foli për projektet që sipas saj janë të rëndësishme për vendin, jo vetëm për nga ekonomia, por edhe turizmi.
Duke u ndalur fillimisht te Porto Romano dhe Porti i Durrësit, Balluku shtoi se nuk do të ketë asnjë mbyllje të këtyre porteve dhe se të ardhurat nga këto dy projekte arrijnë mbi 280 milionë euro.
Ajo sqaroi më tej se, për këto projekte është bërë prezantimi në selinë qendrore të NATO-s duke u vlerësuar si një zonë shumë e rëndësishme.
Balluku tha se, Porti i Durrësit do të vazhdojë të jetë i shqiptarëve, ndryshe nga çfarë ka deklaruar opozita, e cila, sipas saj, po e përdor këtë projekt, për ta kthyer në një ‘kalë beteje’.
“Ju e keni dizenjuar zonën e Porto Romanos si një zonë detare. Por ju do të pyesni se përse këto po bëhen me paratë e buxhetit të shtetit, por ajo zonë do të jetë edhe militare. Ne e kemi thënë publikisht pasi kemi bërë prezantimin në selinë qendrore të NATO-s dhe është prezantuar si zonë e rëndësishme. Në paketën 390 milionë euro që do të investohen në këtë port, 175 milionë janë të dedikuara për punime në infrastrukturë detare parësore dhe do t’i shërbejnë edhe portit militar që do të ngrihet në zonë. Nga ana tjetër ndjehemi të shqetësuar që opozita përdor këtë projekt për ta kthyer në një kalë beteje, pasi këtu preket interesi i të gjithë shqiptarëve”, tha ajo.
Ndërkohë, sa i përket zhvendosjes së Portit të Durrësit në Porto Romano, Balluku deklaroi se, ky është projekti më transparent i bërë deri më tani.
“Dhe nuk bëhet fjalë për mbylljen e një porti dhe hapjen e një porti tjetër, por për të dy portet, një turistik dhe një militar”, tha Balluku.
Pas fjalës së ministres reagoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi i cili e konsideroi marrëveshjen korruptive.
“Është aseti strategjik më i madh që i grabitet shqiptarëve për t’ia dhënë xhepit të vet”, tha ai.
Ndërkohë replikoi sërish Balluku e cila tha se projekti për portin tregtar ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë e veriut.
“Jeni duke goditur një projekt strategjik që nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin detar, tregtar të Shqipërisë, por edhe të dy vendeve të rajonit si Kosova dhe RMV. Nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin tregtar dhe detar, por ka të bëjë edhe me detyrimet që Republika e Shqipërisë ka si anëtare e NATO-s për të pasur një bazë militare moderne në Detin Mesdhe”, tha ajo.