Kryeministri Rama thotë se e ka njohur dhëndrin e ish-presidentit të SHBA, Jared Kushner, pasi ky i fundit kishte ardhur për ta vizituar Shqipërinë me një jaht.
I ftuar në emisionin “Opinion”, kryeministri Rama thotë se Kushner ishte pronari i jahtit teksa shton se janë takuar me të në Durrës me ftesë të dhëndrit të Trump teksa shton se takimet e tyre kanë vijuar herë pas here.
Blendi Fevziu: Si e keni njohur ju Jared Kushner?
Edi Rama: E kam njohur rastësisht sepse ka ardhur bashkë me gruan dhe me miq të tjerë për ta vizituar Shqipërinë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit dhe ai që ishte prijësi i tyre, më ftoi kur ata kishin ndalur në Durrës për t’u furnizuar dhe për ta vazhduar më tutje. Kemi biseduar, nuk ishin 2 por një grup më i madh njerëzisht dhe jemi takuar herë pas here.
Blendi Fevziu: A është Sazani sot zonë ushtarake?
Edi Rama: Po është zonë ushtarake. Do të duhet patjetër të hiqet nga lista e ushtrisë.
Blendi Fevziu: Keni pasur një eksperiencë me këtë gjënë me Portin e Sarandës. Është në SPAK çështja.
Edi Rama: Jo, ne nuk kemi pasur eksperiencë të keqe. Ne kemi ndeshur një situatë që ka krijuar një eksperiencë shumë të keqe për të drejtat e zhvillimit të një prone në bazë të një kontrate për sipërmarrësit. Aty ka një kontratë dhe ajo kontratë është kontratë me një sipërmarrje dhe marrja peng e një investimi që dot do t’i kishte dhënë Sarandës një marinë turistike të nivelit që pretendojmë të ketë Shqipëria, është në shkelje të plotë të të drejtave të investitorëve. Fatmirësisht ata janë shqiptarë, po të ishin të huaj do të kishin shkuar në arbitrazh. Pengohen 200 milionë Euro. Drejtësia ka të drejtën t’i bëjë të gjitha në raport me një procedure që i takon autoriteteve shtetërore. Nuk ka të drejtë të marrë peng një kontratë të nënshkruar që obligon shtetin shqiptar. Fati i mirë është që ata janë shqiptarë sepse po të ishin të huaj, do të na kishin marrë qimet e kokës. Aty pengohen 200 milionë.
Blendi Fevziu: Sazani, kur mendoni se do të marrë koncept më konkret?
Edi Rama: Është proces. Ata kanë bërë një aplikim për Sazanin, shprehin interesin. Tani, ajo duhet të kalojë sitën e agjencisë për të parë nëse përputhet me të gjitha kriteret që ka një aplikim i tillë dhe paralelisht vjen dhe projekti.
Investimi në Sazan/ Rama: Do bëhet xhevahiri më i ndritshëm i turizmit mesdhetar
Kryeministri Edi Rama pranon se grupi i përfaqësuar nga dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump ka dorëzuar zyrtarisht projektin për investim në ishullin e Sazanit.
Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu, Kryeministri Rama tha se sa i përket Zvërnecit, nuk kanë ende një projekt zyrtar të dorëzuar nga ky grup.
Duke folur për Sazanin, nëse projekti realizohet, Kryeministri shprehet se ky ishull do të shndërrohet në xhevahirin e turizmit në Mesdhe.
“Po ndodh ajo që po ndodh dhe do të ndodhë edhe me të tjera investime. Ka ardhur ky grup që ka në krye dhëndrin e Presidentit Trump. Ne nuk kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit. Zyrtarisht është dorëzuar një kërkesë për Sazanin nga ky grup për të bërë në Sazan një investim që ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë dëshira e paardhësve të mi, kemi pasur 3-4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj që i kemi refuzuar ne sepse nuk kanë qenë qasje të përputhura me atë që ne mendojmë dhe në këtë rast shpresojmë që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit mesdhetar, një destinacion turistik i cili të jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizmit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe që të sjellë konsumatorët e nivelit më të lartë të turizmit në botë. E vë Shqipërinë në nivelin më të lartë që disponojnë të tilla adresa në perimetrin e tyre dhe i sjell Shqipërisë një burim të ri të ardhurash për shqiptarët, për buxhetin e shtetit, për ekonominë tonë”.
Kryeministri thekson se nëse realizohet ky investim në Sazan, do të sjellë turizmin e nivelit më të lartë botëror, çka përkthehet në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.
“Këtu bëhet fjalë për të sjellë turizmin e nivelit më të lartë që është një turizëm që ndryshe nga turizëm masiv, nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë. Ne kemi diskutuar për vizion. Qëllimi është të marrim shkas nga të gjitha zhvillimet e tjera dhe të bëjmë një zhvillim që të jetë një shembull se si investohet në harmoni me natyrën dhe krijohet një impakt ekonomik shumë më i fortë”, deklaroi Rama.