Rusia është në shok, pas masakrës në një sallë koncertesh pranë Moskës ku pati me dhjetëra të vrarë mes të cilëve 3 fëmijë e rreth 140 të plagosur.
Kremlini bëri të ditur se 11 vetë janë vënë në pranga, përfshirë 4 agresorët e dyshuar, për sulmin me armë zjarri mbrëmjen e së premtes.
Në një fjalim urgjent së shtunës, presidenti Vladimir Putin e cilësoi ngjarjen si një akt barbar terrorist dhe u zotua se armiqtë nuk do ta përçajnë Rusinë.
Teksa paralajmëroi ndëshkim për përgjegjësit ai theksoi se të gjithë agresorit ishin kapur dhe gjendeshin pas hekurave.
“Autorët i vranë pa dallim qytetarët rusë, si nazistët. Do t’i identifikojmë të gjithë ata që janë pas këtij akti terrorist, ata do të paguajnë për këtë”, tha Putin.
Ai po ashtu tha se 24 marsi, do të jetë një ditë zie kombëtare në Rusi, në nder të viktimave.
Megjithatë, Putin nuk u kursye me kaq, por akuzoi drejtpërdrejt edhe Ukrainën, e cila sipas tij kishte përgatitur në kufi një “dritare”, nga e cila terroristët do të mund të dilnin prej territorit rus, teksa nuk komentoi mbi marrjen e autorësisë nga ana e Shtetit Islamik.
Persona të armatosur me armë sulmi, dhe të veshur me uniforma ushtarake, qëlluan pa mëshirë ndaj spektatorëve në koncertin ku duhej të performonte një grupi i muzikës rok i kohës sovjetike. Video tronditëse, tregojnë momentin kur qytetarët që ishin duke u ulur nëpër vende, nisin të vrapojnë të tmerruar drejt daljeve, mes krismave të vazhdueshme dhe britmave.
Para se të largoheshin me një automjet të tipit Renault ata lëshuan pas granata dhe lëndë plasëse, duke shkaktuar zjarr në ndërtesë. Armatime dhe pasaporta nga Taxhikistani ishin gjetur në automjetin e tyre, pas ndalimit nga policia.
Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit me vdekjeprurës në Rusi që prej masakrës në shkollën Beslan, në vitin 2004. Shërbimet ruse të sigurisë pretendojnë se autorët ishin përpjekur të arratiseshin në Ukrainë ku sipas tyre kishin kontakte. Kievi mohoi menjëherë përfshirjen në sulm.