Moska është në zi dhe në shok pas sulmit terrorist. Megjithëse Ukraina e hedh poshtë përfshirjen, disa zyrtarë të lartë rusë akuzuan shpejt Ukrainën për sulmin në Crocus City Hall.
Në Moskë vazhdon tronditja pas sulmit terrorist të premten në mbrëmje. Qytetarëve i është drejtuar një thirrje për të dhuruar gjak. Sipas të dhënave zyrtare humbën jetën 143 vetë në sulmin terrorist në Crocus City Hall Krasnogorsk, pranë Moskës. Ka disa burime që bëjnë fjalë për 133 vetë të vrarë, dhe më shumë se 150 të plagosur.
Presidenti Putin në një fjalim televiziv e cilësoi sulmin “një akt barbar”. Ai tha, se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë dhe se do të ndëshkohen. Sipas Putin të gjithë atentatorët janë kapur, ata po përpiqeshin të largoheshin drejt Ukrainës. Ka “informata të ndërmjetme”, se atje “disa persona” ishin të gatshëm t’i lejonin nga Rusia të kalonin kufirin në Ukrainë.
Injorim i rrezikut islamist
Që të shtunën pati deklarata, ku u bë e qartë, se autoritetet ruse përpiqen t’ia hedhin Ukrainës përgjegjësinë për atentatin në sallën e koncerteve. Zyrtarë të lartë rusë akuzuan shpejt Ukrainën, pavarësisht mungesës së ndonjë prove dhe faktit që “Shteti Islamik” ka marrë përgjegjësinë. “Nëse vërtetohet se terroristët e regjimit të Kievit janë fajtorë… ata duhet të gjenden dhe të shkatërrohen pa mëshirë”, shkroi Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë në kanalin e tij në Telegram. Ukraina e ka mohuar me forcë përfshirjen në atentat. Edhe SHBA e hedh poshtë përfshirjen e Ukrainës.
Por sipas “tagesschau” pikërisht lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën që të lihen jashtë vëmendjes rreziqe të tjera. Media gjermane analizon, se ka të dhëna që të lenë të kuptosh, se në rrethin e pushtetit të Putinit të fokusuar tek lufta kundër Ukrainës dhe shtypja e opozitës ka humbur nga fokusi i terrorist islamist. Kështu më 19 mars Putini e hodhi poshtë një paralajmërim të SHBA për rrezikun e sulmit terrorist si ai që ndodhi të premten në Crocus City Hall. Putin akuzoi qeverinë amerikane për “përpjekje për frikësim dhe destabilizim” të popullit rus. Në një kohë që vetëm në fillim të marsit, sipas “tagesschau”, forcat speciale të FSB, shërbimit të brendshëm rus vranë gjashtë persona në Republikën e Ingushetisë. Përplasjet në qytetin Karabulak zgjatën disa orë. Autoritetet ruse bënë të ditur, se janë vrarë anëtarë të të ashtuquajturit Shteti Islamik, që kanë qenë pjesëmarrës në disa “krime terroriste”, mes tyre edhe një kundër një stacioni policie në mars 2023.
IS publikon foto të personave që kryen sulmin
Shërbimi i brendshëm sekret rus, FSB ka bërë të ditur, se ka pasur 11 arrestime në afërsi të Moskës që kanë lidhje me atentatin. Agjencia e lajmeve Interfax duke iu referuar shërbimit FSB, ka shkruar se katër nga të dyshuarit e arrestuar kishin “kontakte me Ukrainën” dhe kanë qenë në rrugën drejt kufirit ukrainas, kur u kapën mëngjesin e së shtunës. Sipas FSB, sulmi terrorist në Crocus City Hall ishte planifikuar me përpikmëri dhe se po vazhdojnë përpjekjet për të zbuluar të gjitha detajet e sulmit.
Vetë i ashtuquajturi “Shteti Islamik”, IS në kanalin propagandistik, Amak publikoi të shtunën një foto me katër persona, ku fytyrat nuk dalloheshin, duke pretenduar se këta katër persona kishin kryer sulmin. Ata paraqiteshin me automatikë, pistoleta dhe bomba. Luftëtarët i dhanë një “goditje të rëndë” Rusisë, thuhet në kanalin e IS. Sulmi i drejtohej “mijëra të krishterëve në një sallë muzike”. IS lufton të krishterët dhe i shikon ata si të pafe.