Komisioni Evropian është i shqetësuar nga ndryshimet e fundit ligjore për zonat e mbrojtura në Shqipëri. Në një reagim për Faktoje, KE paralajmëron qeverinë që të mbrojë biodiversitetin në mënyrë që të mos cënohet integrimi në Bashkimin Evropian. Me ligjin e ndryshuar, ekspertët e mjedisit thonë se rrezikohen të gjitha zonat e mbrojtura. Bregdeti është ‘viktima’ e parë e kantiereve në këto territore – paralajmërojnë me shqetësim ekspertët e mjedist, duke i varur shpresat tek Gjykata Kushtetuese.
Esmeralda Topi – Faktoje.al
Në 7 minuta seancë parlamentare socialistët miratuan ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, që i hapin rrugën ndërtimit në këto territore. Kjo pavarësisht kundërshtimit të opozitës, shoqërisë civile dhe ekspertëve të mjedisit.
Këta të fundit i ‘varën’ shpresat tek Presidenti, por Bajram Begaj i dekretoi ndryshimet ligjore pak javë më vonë.
Pas kësaj, ‘varka’ e shpëtimit të zonave të mbrojtura nga betonizimi mbetet vetëm Gjykata Kushtetuese. Ekspertët e mjedisit dhe përfaqësues të opozitës konfirmojnë për Faktoje se janë duke punuar për ta depozituar ankimimin në Kushtetuese.
“Mbroni biodiversitetin”
Komisioni Evropian është po ashtu i shqetësuar për këto ndryshime ligjore për zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Në një reagim të posaçëm për Faktoje, KE paralajmëron qeverinë se duhet të mbrojë biodiversitetin – duke u kujdesur që të vërë në dukje rëndësinë që ka mjedisi në rrugëtimin integrues të Shqipërisë.
“Shqipëria, një vend kandidat, pritet të përafrojë legjislacionin e saj me acquis mjedisor të BE-së, në veçanti Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Kuadrin e Ujit dhe Direktivat e Shpendëve dhe Habitateve, dhe të sigurojë mbrojtjen e biodiversitetit të vendit.”, tha për Faktoje një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Edhe në raportin e zgjerimit të Shqipërisë për vitin 2023, KE ka ndarë shqetësimin për mbrojtjen e biodiversitetit, duke marrë shkas nga ndryshimet ligjore për investimet strategjike. Kjo sepse – si theksohet në raport – ligji mund të lejojnë investime të mëdha turistike dhe industriale në zona të mbrojtura.
“Siç ua kemi përcjellë autoriteteve shqiptare, Komisioni Evropian i kushton vëmendje të madhe çështjeve mjedisore në kuadër të negociatave të anëtarësimit dhe do të vazhdojë të diskutojë me autoritetet shqiptare përafrimin e duhur me acquis-in e BE-së.”, përfundon reagimin Komisioni Evropian.
Bregdeti ‘viktima’ e parë
‘Nën petkun e ndryshimeve ligjore, Shqipëria rrezikon të mbetet pa asnjë metër territor të mbrojtur dhe bregdeti është ‘viktima’ e parë’. Kështu paralajmëron Aleksandër Trajçe, drejtues i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
“Rreziku është real në terma afatgjatë, se ligji kur ndryshohet nuk ndryshohet sot për nesër. Dhe me argumentin e këtij ligji betonizohet çdo zonë e mbrojtur. Do fillojnë me zonat malore, lugina e Valbonës, Lura, Thethi. Të gjitha këto mund të jenë subjekt i këtyre zhvillimeve sepse nuk ka më ligj që i ndalon.”, argumenton ai.
Edhe inxhinieri i mjedisit Abdulla Diku ndan të njëjtin shqetësim duke parashikuar betonizimin së shpejti të mijëra hektarëve tokë e pasuri natyrore.
“Kuptohet, në zonat e mbrojtura të BE-së as nuk e çon njeri në mend të bëjë kësi projektesh si tek ne, e jo më ti betonizojë ato. Kushdo që ka qenë për pushime në Turqi besoj se ka vënë re që përveç ndonjë punëtori nga Turqia, thuajse asnjë turk nuk ka pushuar apo pushon në resortet bregdetare atje. E njejta gjë, e madje dhe me keq do jetë për ne këtu në Shqipëri.”, shprehet inxhinieri.
Resorte në Sazan dhe Zvërnec?!
Vitin e kaluar në Shqipëri hynë mbi 10 milionë turistë, shifër rekord kjo e zyrtarizuar nga INSTAT.
Mes miliona turistëve verën e vjetshme, në media bëri bujë ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj. Korrikun e vitit 2023, vajza e ish- presidentit amerikan dhe bashkëshorti i saj Jerard Kushner u fotografuan në jug të vendit. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Shqipëri, Faktoje ka fiksuar edhe disa momente nga vizita e tyre në Kryeministri.
Tetë muaj më vonë, shqiptarët mësuan nga media ndërkombëtare se vizita e tyre nuk paska pasur si qëllim vetëm turizmin.
Më 15 mars agjencia e lajmeve Bloomberg njoftoi se, Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka në plan të investojë 1 miliardë dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri, përkatësisht në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
Po atë ditë, Kushner ndau në rrjete sociale imazhet e dy projekteve që synon të zbatojë në Sazan dhe Zvërnec, bashkë me një tjetër në Beograd.
“Të emocionuar që të ndajmë disa imazhe paraprake të dijanit për projektet e zhvillimit që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit.” – shkruante dhëndri i Trump në X.
Për ekspertët e mjedisit këto dy projekte janë qëllimi i vërtetë i ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura.
“Nga mediat ndërkombëtare kuptohet se Kushner ka kohë që negocion për këto projekte ndaj merret vesh se ka qenë ai (kryesisht) i cili ka diktuar ndryshimin e ligjit për “Zonat e mbrojtura”. Fundja, si mundet të bënte gjithë ato projekte pa rënë më parë dakord me kryeministrin tonë?! Dhe dakordësia më e fundit duket se ka qenë ajo e ndryshimit të ligjit që i kthen zonat tona të mbrojtura natyrore në kantiere ndërtimi.”– analizon inxhinier Abdulla Diku, teksa kujdeset të sqarojë se kundërshtia lidhet vetëm me vendin ku projektohen resortet – zonat e mbrojtura.
‘Nuk ka asgjë të keqe nëse investime të tilla bëhen jashtë zonave tona të mbrojtura mjedisore. Vija bregdetare ka plot hapësira për resorte të tilla dhe s’ka përse të shkatërrohet medoemos natyra.’, sugjeron ai.
Të njëjtin propozim e ndan edhe Aleksandër Trajçe.
“Nuk jemi kundër këtyre projekteve, por jemi kundër vendit që është zgjedhur. Nëse ai projekt do të ishte pak më në veri, psh në zonën e Darëzezës, në Spille apo në një territor tjetër të bregdetit që nuk është zonë e mbrojtur nuk ka asnjë problem.”, përfundon drejtuesi i PPNEA, të parës organizatë mjedisore në Shqipëri.
Debati për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura nisi fundvitin e kaluar kur papritur një grup deputetësh nga Partia Socialiste dorëzuan nismën në Kuvend, fill pasi 16 kryebashkiakë të PS-së i kërkonin Kuvendit që ligji t’u jepte atyre mundësi të merrnin pjesë në administrimin e këtyre zonave.
Rama e cilësoi Sazanin një park kombëtar imagjinar, një pretendim i pavërtetë ky, sepse hapësira ujore rreth ishullit është pjesë e të vetmit Park Kombëtar Detar që ka Shqipëria.