Në kuadër të operacionit policor të koduar “Repishti” janë vënë në pranga 5 të rinj mes të cilëve edhe efektivja e Policisë së Burgjeve, të cilët tentuan të transportonin 9 armë zjarri nga Shkodra drejt Tiranës.
Si rezultat i operacionit, në një parking në Rrugën e Rinasit janë kapur dhe arrestuar të rinjtë: S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe (efektive e Policisë së Burgjeve), D. H. 18 vjeç, dhe M. H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues 26-vjeçarin me inicilale M. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krehër e municion luftarak.
Policia e Tiranës kishte marrë informacion për grupin kriminal që do të vinte nga Shkodra për të shitur armët në Tiranë. Menjëherë pas kësaj, organizuan operacionin për kapjen e tyre në kushtet e flagrancës.
5 personat e arrestuar po lëviznin me dy mjete. Në të parin ishin dy persona që kishin rol kqyrjen e rrugës dhe lëvizje të patrullave të policisë. Në mjetin e dytë ishin 3 persona të tjerë, në bagazhin e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 9 armët.
Armët vinin nga zona veriore të Shkodrës dhe ishin destinuar të shiteshin te grupet kriminale me bazë në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.