Është një ndërthurje e gjeografisë dhe gastronomisë që ka “vendosur” se cilën kafe preferojnë më shumë njerëzit në vende të ndryshme të botës.
Një hartë e krijuar nga Coffeeness, një blog i dedikuar tërësisht kafesë tregon dhe kafen e preferuar për vendet, me kapuçinon që kryeson renditjen në 24 vende, duke përfshirë Belgjikë, Francë, Hollandë, Spanjë, Arabi dhe Kenia.
Ndërkohë, në Shqipëri, kapuçino është kafja e dytë më e pëlqyer dhe në vend të parë është makiato.
Blogu ekzaminoi vëllimin e kërkimit në Google për 21 lloje kafeje nëpër vende në mbarë botën gjatë 12 muajve të fundit. Kjo përfshin kërkimet e bëra si në anglisht ashtu edhe në gjuhën amtare të secilit shtet përkatës.
“Njerëzit e duan kapuçinon sepse ofron një sasi të ekuilibruar të secilit komponent në çdo gllënjkë”, thotë Coffeeness.
Espresso është kafja e dytë më e njohur në planet.
Në vendin e tretë, është kafeja e zezë. Është zgjedhja e preferuar në 12 vende duke përfshirë Bullgarinë, Portugalinë, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Afrikën e Jugut dhe Kolumbinë.
Amerikano, e bërë nga përzierja e një kafeje ekspres me ujë të nxehtë, renditet në vendin e katërt, duke kryesuar listën në 10 vende, përfshirë Italinë, Korenë e Jugut dhe Argjentinën.
Përfundimi i pesëshes së parë është Mocha. Pija me bazë qumështi, e cila është e aromatizuar me pluhur ose shurup çokollatë dhe zakonisht e mbushur me krem dhe copa çokollate, është e preferuar në gjashtë vende, përfshirë Bangladeshin, Hong Kongun, Japoninë dhe Zelandën e Re.
Pijet e tjera të njohura të kafesë janë latte, kafeja irlandeze, e bardhë dhe kafeja e ftohtë, të cilat të gjitha ndodhen në vendin e gjashtë.
Latte, e bërë me një ose dy gota ekspres të përzier me qumësht të zier me avull dhe një shtresë të trashë qumështi, është më e popullarizuar në Hong Kong, Malajzi, Vietnam dhe Brazil.
Kafeja irlandeze është e preferuar në Irlandë dhe në Finlandë, Norvegji dhe Suedi.
“Është një variacion i veçantë i kafesë sepse është me një dozë uiski, e ëmbëlsuar me pak sheqer dhe sipër ka një shtresë kremi pana”, thotë Coffeeness.
Ndërsa makiato, e shërbyer me një raport kafe-qumësht 1 me dy, është e preferuar në Britaninë e Madhe, Shqipëri, Honduras dhe Australi.
“Është e mrekullueshme për njerëzit që e shohin kapuçinon shumë të lehtë, por një ekspres shumë të hidhur”, sipas Coffeeness.
Në fund të renditjes përfshihej Cortado (ekspres dhe qumësht i zier në avull) frappuccino (E bërë me kafe, akull dhe shurupe) dhe kafe turke (e përgatitur në një xhezve duke përdorur kafe të bluar dhe e ëmbëlsuar sipas shijes).
Një hartë e veçantë për SHBA zbulon kafenë më të njohur në çdo shtet.
Ekspresi zë vendin e parë në 28 shtete nga Alaska, Uashingtoni dhe Oregon në perëndim deri në Maine, Nju Jork dhe Karolinën e Jugut.
Në vendin e dytë është latte, e favorizuar në 14 shtete duke përfshirë Wisconsin, Illinois, Ohio dhe Kentucky.
Kapuçino është në vendin e tretë, e cila është pija e preferuar e kafesë në 11 shtete duke përfshirë Teksasin, Misisipin, Pensilvaninë dhe Florida.