Katër persona, përfshirë një adoleshente, u vranë dhe të paktën pesë të tjerë u plagosën, pasi një burrë kreu një sulm me thikë në disa lokacione në shtetin amerikan të Illinoisit, tha policia.
Incidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje, tha policia në qytetin Rokford. Në deklaratën e policisë u tha se një i dyshuar 22-vjeçar është arrestuar.
Autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur se cili mund të jetë motivi i këtij incidenti.
Rokford, qytet me afër 150.000 banorë, gjendet rreth 144 kilometra në veriperëndim të Çikagos.
Në mesin e të vrarëve ishin një vajzë 15 vjeçe, një grua 63-vjeçare dhe dy burra të moshës 49 dhe 22 vjeç, tha policia. Sipas autoriteteve, tre nga viktimat vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërkaq një në spital.
“Sot jemi të tronditur nga një tjetër akt i dhunës së tmerrshme kundër pjesëtarëve të pafajshëm të komunitetit tonë”, tha kryetari i Rokfordit, Tom McNamara.
Policia tha se pesë persona të tjerë janë plagosur, por mediat amerikane më vonë, duke cituar policinë, thanë se shtatë persona ishin plagosur./REL