Këshilli Bashkiak i Himarës ka zgjedhur Blerina Balën si kryetare të komanduar të Bashkisë së Himarës.
Blerina Bala është votuar për të drejtuar Bashkinë e Himarës, me 16 vota pro.
Kandidati tjetër, Pervin Gjikuria, u tërhoq gjatë procesit të votimit.
Partia Socialiste ka shumicën e votave të anëtarëve në këtë këshill.
Mbledhja për caktimin e drejtuesit të ri, pasi Fredi Beleri dhe Jorgo Goro janë në burg, u mbajt në bashki me dyer të mbyllura.
Kjo pasi në sallën e Këshillit Bashkiak pati tensione, sidomos në momentin kur aty hyri Vangjel Tavo dhe Blendi Klosi.
Tashmë Blerina Bala e zgjedhur si kryetare e përkohshme e Bashkisë Himarë, do të qëndrojë në detyrë deri kur gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë për fatin e Fredi Belerit, i dënuar me 2 vjet burg në Shkallën e Parë.
Nëse vendimi konfirmohet në Apel, Himara do të duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.