Një shfaqje yjesh është cilësuar ajo që bëri bashkë tre presidentë demokratë amerikanë, Joe Biden, Barack Obama dhe Bill Clinton.
Tre banorët e Shtëpisë së Bardhë, e bënë shfaqjen e rrallë pranë njëri-tjetrit, në një event, për mbledhjen e fondeve për fushatën e Biden, i cili duket se ka filluar t’i druhet një disfate të mundshme përballë Donald Trump.
Eventi i mbajtur në Radio City Music Hall, grumbulloi 26 milion dollarë për fushatën, shifër rekord kjo për një aktivitet të vetëm politik.
Tani presidenti ka avantazh financiar ndaj republikanit Donald Trump, dhe mund të shpenzojë më shumë për fushatë publicitare në shtetet kyçe.
Sondazhet sugjerojnë se gara për Shtëpinë e Bardhë është në teh të thikës.
Të tre presidentët lëshuan paralajmërime të forta mbi kërcënimin Trump, të cilët shmangën t’i referoheshin me emër.
“Praktikisht, demokracia është në lojë,” paralajmëroi Biden.
Ai tha se Trump i kishte një “pamje të zymtë botës”, duke vënë në dukje mbështetjen e zëshme të kundërshtarit të tij për ata që morën pjesë në protestën e Kapitolit të 6 janarit.
“Por unë kam vërtet shpresë. Nëse i arrijmë këto zgjedhje, ne mund të vendosim kursin për katër, pesë, gjashtë dekadat e ardhshme”, u shpreh Biden.
Por ngjarja e mbledhjes së fondeve u shoqërua edhe nga disa protesta brenda auditorit masiv, me të pranishmit që u ngritën në disa momente të ndryshme, duke iu referuar mbështetjes së Biden për Izraelin në luftën e Hamasit, që ka vrarë më shumë se 30,000 njerëz në Gaza.
Protesta u mbajtën edhe në New York.
Demonstruesit duke valëvitur flamujt palestinezë denoncuan politikën e jashtme të administratës amerikane, veçanërisht mbështetjen e saj për Izraelin, duke i quajtur liderët demokratë si “kriminelë lufte”.