“Të ngutur dhe të pa bazuar”, e ka konsideruar ish kryeministri Sali Berisha deklaratën e eurodeputetit Knut Fleckenstein, i cili i këshilloi atij që “të mos flasë për përrallën sorosiane”.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Berisha jep arsyet sipas tij, përse kjo deklaratë është e tillë, si më poshtë:
“Duke shprehur me sinqeritet vlerësimin tim të palëkundur për kontributin e tij qenësor personal dhe të Parlamentit Europian në dekriminalizimin, por dhe probleme të tjera të vendit, më duhet t’i them se deklaratën e tij e konsideroj të ngutur dhe të pa bazuar për arsyet që vijojnë:
– Deklaratat e mia për Xhorxh Soros dhe mafien e tij, si një rrezik madhor për demokracinë shqiptare janë të bazuar jo në hamendje, por në dokumente autentike të pakundërshtueshme nga të gjithë ata që duan të besojnë të vërtetën.
– Denoncimet e mia në parlamentin shqiptar ndaj veprimeve mafioze të Soros dhe networkut të tij në Shqipëri, të bazuara në dokumente dhe fakte, datojnë vite më parë dhe nuk kanë lidhje me polemikën e sotme që zhvillohet në SHBA për veprimtarinë e kryespekullantit të planetit.
– Xhorxh Soros përfaqëson sot miliarderin që ka korruptuar më shumë se kushdo tjetër mbi tokë politikanë, personalitete lokale dhe ndërkombëtare në vendet ish-komuniste, por edhe në vende të tjera. Ai ka korruptuar gjithashtu individë dhe grupe në institucione serioze ndërkombëtare të vendosura në kryeqytete të vendeve të ndryshme përfshi këtu Berlinin!
Në këtë kontekst, mendoj se jo hedhja poshtë me apriori apo paragjykime të zërave që kërkojnë të nxjerrin në shesh një të vërtetë tronditëse, por hetimi me transparencë nga Parlamenti Europian dhe parlamente të vendeve të interesuara duhet të ishte përgjigja e duhur dhe respekti i detyruar nga e vërteta”./t