Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Petro Belerin, babanë e Fredi Belerit, kryebashkiakun e zgjedhur, por të pabetuar të Himarës pasi ndodhet në burg për “vjedhje votash”.
Meta shkruan se shumë shpejt do e vizitojë në burg, pasi e konsideron atë “të rrëmbyerin politik nga banda në pushtet”.
Sipas tij, e gjitha është e orkestruar për të rrëmbyer pronat e himariotëve në mënyrë që të pastrohen paratë e drogës dhe krimit të organizuar.
“Jam sot në Himarë, pranë Petro Belerit, babait të të rrëmbyerit politik nga banda në pushtet, që e ka rrëmbyer pikërisht për të rrëmbyer pronat e himariotëve në mënyrë që të pastrohen paratë e drogës dhe krimit të organizuar.
Himara do ia tregojë vendin edhe nga burgu, regjimit të pengmarrësve dhe do t’ua tregojnë gjithmonë siç ja u ka treguar osmanëve njëherë e një kohë dhe siç ja u ka të gjithë pushtuesve dhe zaptuesve.
Nga e hëna do bëj kërkesën për të vizituar të rrëmbyerin politik në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që synon të çelë negociatat me Bashkimin Europian dhe të anëtarësohet, në një vend ku mbretëron arbitrariteti dhe jo vullneti i qytetarëve dhe demokracia.
Përshëndetje të gjithë himariotëve trima dhe guximtarë që u kanë dhënë shembull të gjithë shqiptarëve se si duhet sfiduar ky regjim grabitës dhe intimidues”, shkruan Meta.