Nga Dalya Albergep*
Në legjendat greke, Amazonat ishin gra luftëtare shumë të forta dhe të frikshme, të cilat jetonin në skajet e botës së njohur në atë kohë. Kështu legjenda tregon se Herkulit iu desh të merrte brezin magjik të mbretëreshës amazoniane, Hippolyte, në një nga 12 trimëritë e tij.
Ndërkohë Akili, vrau një mbretëreshë tjetër amazoniane, Penthesilea, vetëm për t’u dashuruar me të kur heqja e helmetës zbuloi fytyrën e saj shumë të bukur. Këto kalorëse nomade, të pajisura me harqe, që luftuan dhe i gjuanin kafshët e egra njësoj si burrat, janë mbështjellë prej kohësh nga mitet.
Por arkeologët po zbulojnë gjithnjë e më shumë prova që tregojnë se ato kanë ekzistuar vërtet. Një shembull, janë gërmimet e varreve brenda një nekropoli të Epokës së Bronzit në Nakhchivan në Azerbajxhanin e sotëm.
Ato kanë zbuluar se gratë ishin varrosur së bashku me armë të tilla si maja shigjetash shumë të mprehta si brisku, një kamë prej bronzi, një topuz, si dhe stoli të ndryshme. Arkeologët kanë arritur në përfundimin se ato mund të kenë qenë gra luftëtare që kanë jetuar rreth 4000 vjet më parë.
Këto gra të frikshme, ishin të famshme për shoqërinë e tyre pa praninë e meshkujve, por edhe për aftësitë e tyre në fushën e betejës, veçanërisht me harkun dhe heshtën. Historiania Bettany Hughes shprehet për The Guardian Observer: “Kjo tregon se prapa miteve dhe legjendave të Greqisë së lashtë ka shumë të vërteta”.
Ajo tha se kjo dëshmi ishte edhe më e rëndësishme kur lidhej me gjetjet e mëparshme arkeologjike. Në vitin 2019, në Rusi u gjetën eshtrat e 4 luftëtareve femra të varrosura bashkë me maja shigjetash dhe shtiza.
Ndërkohë në vitin 2017, arkeologët armenë zbuluan eshtrat e një gruaje, që dukej se kishte vdekur nga plagët e marra në betejë, pasi një majë shigjete ndodhej pranë këmbës së saj. Në fillim të viteve 1990, eshtrat e një gruaje të varrosur u gjetën pranë kufirit me Kazakistanin.
Hughes thekson se një qytetërim nuk përbëhet nga një varr i vetëm.
“Nëse po flasim për një kulturë që përshkon Kaukazin dhe Stepën e Madhe, siç e quanin të gjithë të lashtët, padyshim që do të na duhen të gjejmë dhe ekzaminojnë edhe mbetje të tjera”.
Disa nga skeletet zbulojnë se gratë kishin përdorur gjerësisht harqe dhe shigjeta, vë në dukje arkeologia.
“Gishtat e tyre janë të shtrembëruara, pasi ato përdorin shumë shigjeta. Ndërkaq, ndryshimet në nyjet e gishtave nuk do të ishin shkaktuar vetëm nga gjuetia. Kjo ka qenë një praktikë e qëndrueshme dhe shumë e shpeshtë. Është shumë emocionues fakti që shumë nga provat e kockave, po tregojnë gjithashtu shenja të qarta të kohës së vazhdueshme të kaluar mbi kalë. Legeni i grave është i hapur pasi ato i kanë shaluar vazhdimisht kuajt. Kockat e tyre formohen vetëm nga stili i tyre i jetesës”, thekson Hughes.
Ajo vuri në dukje se stolitë përfshijnë gjerdanët karnelianë: “Karneliani është një gur gjysmë i çmuar. Dikur mund të shihej shpesh tek njerëzit me statuse të larta, si priftëresha apo Perëndesha. Pra ishin shenjë e grave me status, siç janë skeptrat”.
Gjetjet e gërmimeve të fundit, do të zbulohen në një seri të re dokumentarësh që do të transmetohen në televizionin britanik “Channel 4” në muajin prill me titull “Thesaret e Botës” me autore Bettany Hughes.
Një nga episodet e këtij seriali “Rrugët e Mëndafshit dhe Kaukazi”, do të fokusohet në një pjesë të botës që dëshmoi zbaticën dhe rrjedhën e kulturave dhe qytetërimeve për shekuj, dhe ku rrugët tregtare u bashkuan me kontinentet e Azisë dhe Evropës.
Në dokumentar, ajo thotë ndër të tjera për gjetjet mbi Amazonat: “Dalëngadalë po zbulojmë dhe mbledhim prova mahnitëse që po dalin nga gërmimet. Shpeshherë kjo është mënyra e vërtetimit të këtyre pretendimeve, dhe ato janë vërtet artefaktet më të mira”.
Hughes vizitoi fshatin malor Khinalig në Kaukazin e Madh, vendi më i banuar në Evropë. Është aq larg saqë “duket sikur ka humbur në kohë”, thotë ajo, duke vënë në dukje se gjuha e saj lokale nuk flitet askund tjetër. Atje ka pasur një vendbanim që nga epoka e bronzit.
Ndërkohë disa nga 2000 banorët e tij, i thanë asaj se në kohët e lashta, gratë e tyre maskoheshin si burra duke mbajtur një shami në kokë. Histori të tilla janë të transmetuara brez pas brezi. Bazuar tek këto dëshmi, ajo rindërtoi shumë histori të lashta.
“Ata më thanë: Që të gjitha gjyshet tona luftuan dikur. Burrat ishin që të gjithë larg shtëpitë duke kullotur kopetë e bagëtive. Gratë e mbulonin gjithmonë fytyrën për të luftuar. Dhe pikërisht këtë thoshin edhe burimet e lashta, ndaj njerëzit nuk e dinin nëse luftëtarët ishin gra apo burra”, përfundon studiuesja.