Në “Big Brother VIP Albania 3” po vazhdon prej ditësh një lojë që në qendër ka një buton, i cili shpërblen ose dënon këdo që e shtyp. Sot ishte Heidi ajo që e shtypi dhe u njoftua nga produksioni se do dalë nga shtëpia.
Heidi, sipas njoftimit është shoqëruar me kamera jashtë shtëpisë, për në studion e emisionit të pasdites “Ftesë në 5”, ku ka dhënë një intervistë ekskluzive mbi ngjarjet që kanë ndodhur deri tani në shtëpinë më të vëzhguar.
“Ndihem e emocionuar”, tha Heidi teksa hyri në studio. Sigurisht u komentua edhe dasma me Romeon, e organizuar pak ditë më parë.
“Falenderoj gjithë stafin, sepse organizimi i dasmës ishte shumë i bukur. Besoj në dashurinë e Romeos sepse përndryshe nuk do isha martuar. Është ndjesi e bukur”, shpjegoi ajo.
Ndër të tjera banorja u pyet se si mendon se e ka pritur familja e saj lidhjen me Romeon.
“Mendimi i tyre është thjesht të jem unë e lumtur, ata duan të më shohin të qeshur. Ata e dinë që jam një vajzë me këmbë në tokë që i merr gjërat avash-avash. Më mbështesin në gjërat emocionale… Është formati, është normale, ka presionin e vet, por po e shijoj”, tha ajo.
Ndërsa pyetjes ngacmuese nëse do të ishte gati të jetonte me prindërit e Romeos, Heidi iu përgjigj duke thënë “jo” e qeshur.
“E kam thënë, dasma është simbolike, e bukur. Janë disa gjëra që duhen parë jashtë. Ne nuk luajmë dhe gjëja që është e rëndësishme është që ne nuk luajmë me publikun”, mbyll ajo fjalën për këtë çështje.
Ajo shpjegoi se kë ndjen më afër në shtëpi: “Juli më duket i drejtë. Kam ndryshuar idenë për Rozën, po më jep energji pozitive, mendimet situatat aty ndryshojnë në minutë. Të shohim çfarë do ndodhë…”
Menjëherë pas intervistës, Heidi është rikthyer në shtëpinë e “BBVA 3”, ku u prit nga Romeo dhe banorët e tjerë që panë live çdo gjë.