Presidenti i ri i Senegalit u zotua të luftojë korrupsionin dhe të rinegociojë kontratat me kompanitë e huaja. Risi tjetër historike: presidenti jeton në poligami.
Ish-inspektori tatimor, 44-vjeçari, Bassirou Diomaye Faye është presidenti më i ri në historinë e Senegalit. Zgjedhja e politikanit të opozitës si president i ri i vendit sjell me vete dy premiera për Senegalin: kjo është hera e parë – pas shpalljes së pavarësisë së vendit nga Franca në vitin 1960 – që zgjedhjet i fiton një përfaqësues i opozitës që raundin e parë të votimit. Dhe po ashtu është hera e parë që vendi ka zyrtarisht dy Zonja të Para.
Me veshje tradicionale dhe dy gra përkrah
Faye, i cili shfaqet shpesh në publik i veshur me veshjen e bardhë tradicionale, u shfaq në publik i shoqëruar nga dy bashkëshortet e tij Maria dhe Absa, jo vetëm në mitingun e fundit elektoral për të përshëndetur mijëra mbështetësit e tij që brohorisnin, por edhe pas ceremonisë së betimit si president.
Poligamia ka rrënjë të thella në kulturën senegaleze dhe Faye do ta shfaqë atë hapur edhe në pozicionin e tij në krye të shtetit.
Luftë korrupsionit dhe rinegociim i kontratave me kompanitë e huaja
“Rezultatet e zgjedhjeve treguan një dëshirë të thellë për ndryshim,” tha Faye pasi bëri betimin në detyrë. “Senegali do të jetë një vend shprese, në paqe dhe me një sistem drejtësie të pavarur dhe demokraci më të fortë,” tha ai.
Bassirou Diomaye Faye premtoi “një ndryshim sistemik”, duke shtuar se beson që votuesit kanë shprehur “aspiratën e tyre për një sovranitet më të madh, zhvillim dhe mirëqenie”.
Faye premtoi se do të rinegociojë kontratat e naftës, të gazit dhe të mineraleve me kompanitë e huaja./DW