Ekonomi Qeveria u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

Qeveria u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

Pasi premtoi se do t’i ndëshkonte ndërtuesit e paligjshëm të pallateve në Tiranë, qeveria nënshkroi kontrata që i amnistonte ata edhe nga detyrimet fiskale me vlerë rreth 2 milionë euro – një praktikë që sipas ekspertëve thellon favorizimin dhe cenon barazinë përpara ligjit.

Nga Vladimir Karaj – BIRN

Në vjeshtën e vitit 2022, kur prezantoi vendimin e qeverisë së tij për konfiskimin e shtesave pa leje në kullat e Tiranës, kryeministri Edi Rama i paralajmëroi ndërtuesit se “do ta paguanin shtrenjtë shkeljen e ligjit”.

Ai premtoi gjithashtu se ndërtimet e konfiskuara do të përdoreshin për qëllime sociale ose do të mbushnin arkën e shtetit pasi të shiteshin me çmimet e tregut.

Por një vit e gjysmë më vonë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se qeveria, jo vetëm që ua ktheu godinat mbrapsht shkelësve të ligjit me çmime 10 herë më të ulëta se vlera e tregut, por u amnistoi atyre detyrime fiskale për lejet e reja të ndërtimet në një vlerë që llogaritet në gati 2 milionë euro.

Sipas kontratave që Ministria e Financave nënshkroi me ndërtuesit në gusht të vitit të kaluar, këtyre të fundit u mundësohet që të marrin leje të reja ndërtimi për t’i shitur më pas normalisht shtesat e ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Por në këtë proces, ndërtuesit përjashtohen nga tarifat e aplikimit për leje zhvillimi dhe ndërtimi, certifikatën e përdorimit, policat e sigurimit, pagesat për shërbimet kadatrale si dhe pagesën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturë.

Në shtatë pallatet e konfiskuara në Tiranë rezultoi të ishin ndërtuar pa leje 21404 metra katrorë shtesa. BIRN llogariti se sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Financave, kompanive ndërtuese u faleshin në total detyrime fiskale në një shumë që varion nga 1.8 milionë euro deri në 2.2 milion euro.

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike në opozitë akuzon qeverinë se skema e përdorur në këtë rast është e paramenduar, antikushtetuese dhe cenon barazinë përpara ligjit.

“Përjashtimi i tyre nga taksat është akoma dhe më i rëndë. Kjo së pari është bërë me paramendim,” tha Tabaku për BIRN.

Standardet e dyfishta kanë shqetësuar gjithashtu komunitetin e biznesit.

“Për ne që jemi totalisht të rregullt, nuk është se po na shqetëson në çmime, por vetëm që kemi marrë njollë nga ata ndërtues totalisht të pandershëm,” tha Latif Miha, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

I pyetur nga BIRN për arsyet se pse ata që kishin ndërtuar pa leje shmangeshin nga detyrimet fiskale për këto ndërtime, ministri i Financave, Ervin Mete i tha BIRN përmes një mesazhi se këto praktika kishin ndodhur “para se të vija në ministri”.

Zyrtarisht, ministria e Financave i tha BIRN se kontrata bazohej në ligj, por nuk iu përgjigj pyetjes se pse ndërtuesit pa leje po trajtoheshin në mënyrë preferenciale.

Favorizime për paligjshmërinë

Qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi të konfiskojë për interes publik pallatet e ndërtuara pa leje përmes një vendimi të miratuar në shtator të vitit 2022. Me pretendimin se do t’i administronte pallatet e konfiskuara, parlamenti miratoi në verën e vitit 2023 edhe ligjin përkatës të pagëzuar me emrin e gjatë: “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

Megjithatë, ligji që përmend strehimin social dhe interesin publik, duket se po përdoret për t’u falur ndërtuesve të paligjshëm edhe detyrimet fiskale.

Konkretisht, kontratat mes kompanive ndërtuese të kapura në shkelje të lejeve të ndërtimit dhe ministrisë së Financave, të nënshkruara në gusht 2023, referohen në nenin 30 të tij për të siguruar që kompanitë nuk do paguanin detyrime për lejet e reja që legalizojnë shtesat pa leje.

Neni i titulluar “Përjashtime fiskale”, nuk përmend në fakt ndërtuesit dhe as blerësit e këtyre pronave, por lejon që autoriteti publik që bën administrimit e objekteve të konfiskuar të “përjashtohet nga të gjitha tarifat” përfshi aplikimin për leje zhvillimi/ndërtimi, certifikatat e përdorimit, polica e sigurimit, pagesat për shërbimet kadastrale, si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Ndërkohë, përmes kontratës mes Ministrisë së Financave dhe ndërtuesve, këto të drejta u kalohen automatikisht këtyre të fundit. Në nenin 3 të kontratës, në pikën 3.4 parashikohet se “referuar dispozitave të nenit 28, 29 dhe 30 të “Ligjit me nr 66/2023”, kompanitë përjashtohen nga një listë e gjatë me detyrime.

Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ngre dyshime se vendimi i qeverisë u miratua për të favorizuar një grup ndërtuesish me probleme.

“Unë e shof si një copë të zezë të qepur më pe të bardhë. E shoh si një shërbim që elita qeverisëse i bën komunitetit të biznesit,” tha Preçi për BIRN.

“Në vend që t’i ndëshkojnë shkelësit, hartohen të tilla akte që nuk i shërbejnë interesit publik për të cilin janë marrë”, shtoi ai.

Edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve vlerësojnë se biznesmenët që shkelën ligjin u favorizuan nga shteti.

“Tek e para, nuk është që ne ndërtuesve të tjerë na sjellin ndonjë problem, por problemi është që dëmi i shkaktohet shtetit që i favorizoi. Shkurt muhabeti i favorizoi shteti dhe më gjatë s’di të të them,” tha Miha nga shoqata e Ndërtuesve përmes një mesazhi në Whatsapp.

Precedenti për të ardhmen

Përfituesit e kësaj “amnistie” i përkasin një grupi ndërtuesish, godinat e të cilëve u konfiskuan në vjeshtën e vitit 2022 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, pasi kishin shkelur lejet e ndërtimit me disa mijëra metra katrorë.

Që prej fillimit akti i qeverisë, një VKM dhe më pas legjislacioni që pasoi, u cilësuan nga opozita dhe ekspertë si një përpjekje për t’i amnistuar këta ndërtues, që nga ana tjetër ishin nën hetim nga prokuroria për shkeljet e ligjit. Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë për ndërtim të paligjshëm për kompanitë Salillari dhe Arb&Trans-2010 dhe drejtues të këtyre kompanive, përfshi ish-administratorin e kompanisë Salillari, Lulzim Sallillari.

Edhe arkitektja Doriana Musai thotë se akti është i nxituar dhe i marrë vetëm për të favorizuar pak kompani. Ajo thotë se veç faljes së miliona eurove në taksa, precedenti i vendosur është i rrezikshëm.

“Normativa e krijuar Ad Hoc për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje, përveç se ka prodhuar kushte pabarazie të qytetarëve përpara ligjit, ka sjellë rezultat nul në “ndëshkimin” e këtij modeli ilegal të ndërtimit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen,” tha Musai.

Ajo shtoi gjithashtu se çmimi i ulët që u përdor për t’i rishitur këto godina dhe e gjithë procedura e ndjekur i ngjan një amnistie, e cila ndryshe nga sa pretendohet prej qeverisë do të sjellë shtim të ndërtimeve pa leje.

“Me amnistinë qeveria krijoi kushte të përshtatshme për investitorët që të tejkalojnë ligjin, planin dhe rregullat dhe përsëri të dalin me fitim. Pra, kjo formulë e zbatuar nga lart-poshtë, shihet të stimulojë ilegalitetin në vend që ta ndalojë atë,” thotë Musai.

Edhe Jorida Tabaku, deputete e opozitës në parlament, thotë se ky ligj dhe mënyra se si po zbatohet do të sjellë rritje të informalitetit. “Përveç faktit që cënojnë barazinë para ligjit, përjashtimi nga taksat në këtë rast janë shumë të dëmshme, pasi nxisin informalitetin dhe paligjshmërinë,” tha Tabaku.

Ajo shtoi gjithashtu se kjo nxitje e paligjshmërisë ka ndodhur me një grup të seleksionuar ndërtuesish dhe nuk vlen për qytetarin e thjeshtë apo edhe ndërtuesit normalë.