Në episodin e 11-të, sezoni tre i Podcastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar sipërmarrësin italian Tonino Lamborghini.
Rama tha se “është nder dhe privilegj të flasësh me dikë që ka parë me sytë e tij lindjen e një legjende botërore e më pas ka trashëguar një peshë shumë të madhe, si fillim kur ishte e hera e parë që dëgjuat fjalën “Shqipëri”.
Lamborghini u shpreh se “kryeministri, që jeni ju, Edi Rama më ftoi më priti me mikpritjen maksimale dhe më duhet të them që kjo më befasoi më dha shumë kënaqësi. Kisha dëgjuar për personalitetin tuaj të fortë. Ju shohim shpesh në televizion në Itali me kryeministren tonë. E di mirë që keni një raport të shkëlqyer dhe nuk e mohoj që me vjen shumë mirë për këtë”.
“Diçka që e kam fort për zemër është kjo lidhje e ngushtë që ekziston me vendin tuaj, të cilin nuk e njihja dhe për të thënë të vërtetën në Itali kur flitet për Shqipërinë duket sikur bëhet fjalë për një vend të prapambetur nëse më lejohet ta them. Unë erdha këtu dhe mbeta i befasuar nga modernizmi, pastërtia, eleganca e ndërtesave të reja dhe nga ruajtja e pjesës historike të vendit tuaj”, theksoi Lamborghini.
Lamborghini u shpreh se “e dua shumë historinë, arkitekturën. Besoj se i kam parë të gjithë muzetë e botës, por jo si kureshtar, të them si studiues është e tepërt, po ndoshta me një sy edhe pse, kur isha i ri mendoja se do doja të merresha me arkitekturë”.
“Pastaj një ditë babai im më tha, a e kupton që ne kemi një aktivitet industrial? Ndoshta do ishte mirë ta shikoje edhe një herë qëndrimin për shkollën. E kuptova menjëherë kështu që zgjodha një universitet tjetër”.
***
Djali i Ferruccio Lamborghini, themeluesit të markës së njohur të automjeteve, ka treguar edhe se si të ati i lindi ideja për prodhimin e makinave “Lamborghini” pas përplasjes me pronarin e Ferrarit, Enzo Ferrari.
Edi Rama: Ka një moment që e cekët, që është episodi i famshëm i çelësave, po ka edhe një tjetër moment që keni përjetuar dhe është kthyer në një kult edhe të kinematografisë, të historisë bashkëkohore, letërsisë, kujtesës, në të cilin babai juaj, Ferruccio Lamborghini, i cili prodhonte traktorë, por që përdorte një Ferrari, shkon te kolosi tjetër tejet dominues i asaj kohe, Enzo Ferrari dhe i thotë, “ka një gjë që nuk shkon te motori i veturës suaj dhe unë mund t’ju jap një dorë”, pa ia marrë mendja kurrë se nga ai takim do të lindte një tjetër ekselencë italiane, që ishte dhe vazhdon të jetë Lamborghini. Enzo Ferrari iu soll keq, u soll, le të themi, me mendjemadhësi, duke thënë “si të më japë mend mua një që prodhon traktorë?”
Tonino Lamborghini: “Ti nuk di t’u japësh makinave të mia, shko drejto traktorët e tu”.
Edi Rama: Ai, më pas, kthehet në shtëpi dhe ju ishit dëshmitar i këtij momenti.
Tonino Lamborghini: Shumë i inatosur. Ishim ulur në tryezë, po hanim tagliatelle-t dhe i thotë nënës: “Anita, më duhen një miliard lira”. Në atë kohë ishte një vlerë e stërmadhe. Nëna, i kthehet dhe i thotë: “Ferruccio, po çfarë do bësh me një miliard lira?” “Ferrari më trajtoi keq. Në fund të fundit, i kam blerë dy Ferrari. Unë prodhoj 52 traktorë në ditë, ai le të jetë prodhues i makinave të garave, po unë mbaj në punë një mijë punonjës të brendshëm, plus të jashtmëve. Pse më trajtoi kështu?! Ia tregoj unë atij!”
Nëna ime u trondit, ku të shkonte t’i gjente një miliardë lira të kohës? I thotë: “Nuk i kam, po edhe po t’i kem, më duhen për të çuar përpara kompaninë”.
“Duhet të m’i gjesh!” i thotë.
Më në fund, ia pret: “Sa shpenzojmë për reklama?”
Asokohe, Italia ishte e veshur në çdo cep me tabela në rrugë, ku shkruhej: “Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”. Edhe sot mund t’i shohësh të braktisura nëpër rrugët e fshatit në Campania. I thotë: “Po, shpenzojmë shumë, shpenzojmë ndoshta një miliard lira”.
“Mirë, kur të skadojnë kontratat, ti mos i përsërit. Paratë m’i jep mua. Unë do i bëj konkurrencë Ferrarit. Do hap një fabrikë dhe, nëse ecën mirë, do kem më shumë përfitim në imazh sesa do të kisha me tabelat e reklamave”. Dhe kështu ndodhi.
Edi Rama: Gjeniale.
Tonino Lamborghini: Goxha guxim, edhe goxha guxim.
Edi Rama: Idetë gjeniale kanë nevojë për guxim, apo jo? Nuk bëhen kot.
Tonino Lamborghini: Menjëherë, u vu në kërkim të tre inxhinierëve më të famshëm. Ishin të gjithë shumë të rinj, sapo kishin mbaruar universitetin. Punonin te Ferrari dhe Maserati. E bëri menjëherë. Dërgoi një mik për të parë terrenin dhe i tha: “Shko dhe m’i sill këtu!” Tani, pse qe e lehtë t’i merrje që andej? Nuk është kaq e lehtë të marrësh një të ri nga Ferrari apo nga Maserati apo jo? Karta fituese ishte se Lamborghini kishte treguar tashmë se dinte të prodhonte traktorë, kishte një biznes që zhvillohej prej vitesh, një kompetencë teknike, teknologjike dhe, mbi të gjitha, një sipërmarrje që kishte cilësinë më të lartë të makinerive dhe kërkimit mekanik. Tani, t’i thuash një inxhinieri, “eja me mua, të të tregoj atë që po bëj”, i jep një lloj entuziazmi. Për më tepër, duhet të marrim parasysh se Maserati i asaj kohe ishte pak i lodhur, nëse më lejoni të përdor një term të papërshtatshëm. Enzo, po, nuk kishte ndonjë karakter të lehtë, bënte zotërinë e padronin në të gjitha kuptimet. Kështu, im atë ia doli t’i merrte sa hap e mbyll sytë, duke iu thënë, “dua një makinë. E dua kështu, kështu, kështu dhe kështu.” Pra, nuk tha: “Më bëni një makinë, por e dua me këto veçori. Dua katër cilindra motori, ndezje e dyfishtë, 12 karburatorë. Dikur, të gjitha makinat, Ferrari, Maserati, Aston Martin, kishin balestra. Tani, çdokush që ka një moshë të caktuar e di që makinat, rrëshqitnin dhe dilnin nga kthesa, sepse, me balestër, makina kërcente përpjetë. Të sillje rrotat e pavarura, që sapo kishin nisur të shiheshin në Formula 1, ishte një hap i madh përpara. Kjo ishte arsyeja se pse, me këto ide shumë të qarta, këta inxhinierë të rinj u mbushën me entuziazëm të madh dhe gjithçka mori udhë me shpejtësi. Mendojeni pak që, për nëntë muaj, nëntë muaj, u prezantua prototipi i parë funksional. Sot, për nëntë muaj nuk bën dot asgjë.
Edi Rama: A reagoi Enzo Ferrari për këtë?
Tonino Lamborghini: Natyrisht që jo, përveç një rrëfimi të bërë me një gazetar të madh të kohës, i cili quhej Gino Rancatti… Gino Rancatti më ka dërguar një letër që e ruaj, ku thuhej se për herë të parë, Enzo Ferrari pranoi se kishte gabuar dhe se ndoshta duhej të ishte përmbajtur, sepse kishte sjellë në jetë një konkurrent.
Edi Rama: Nga ato që kam mësuar, kam përshtypjen se intuita e tij për atë që mendonte se Ferrari duhet të bënte me motorin doli që ishte e saktë.
Tonino Lamborghini: Po, sepse im atë e provoi vetë. Te Ferrari që digjte friksionin, montoi një friksion normal “Ferodo” që e montonte te traktorët. Përmasat përputheshin në mënyrë të përsosur, kështu që u montua, u provua dhe makina iu përgjigjej sforcimeve me zero probleme. Ja pse Ferrucio, im atë, shkoi te Ferrari, pa asnjë mendjemadhësi, pa asnjë krenari, duke thënë që, në thelb, po shkoj te një koleg, një bashkësipërmarrës, t’i them, “dëgjo, po e ndërrove këtë me këtë, problemi zgjidhet”. E bëri pa asnjë mendjemadhësi, si klient. E priti dy orë. Ndërsa priste dy orë në paradhomë – këtë ma tregonte im atë – thoshte me vete: “Unë prodhoj 52 traktorë në ditë. Kam 1 000 punonjës. Kam dy Ferrari dhe ky më lë të pres dy orë?” Pastaj, në Italinë e asaj kohe, tjetrit i drejtoheshe me “ju”. Ky vjen dhe i drejtohet me “ti”. Ferrari i flet tim ati me “ti”.
“Po pse më drejtohet me ‘ti’?”
Ato vite, kur shkoja në shkollë të mesme, nëse dikush ishte dy a tri vjet më i madh se unë, i drejtoheshe me “ju”. Më pas, natyrisht, bëheshim shokë dhe flisnim me “ti”, por, si fillim, ishte me “ju”. “Ta marrë e mira, ky si ia lejon vetes”. Kjo dhe e bezdiste tashmë. Pastaj, kjo qe historia. Le t’ua përcjellim edhe të rinjve. Nuk e di nëse në gjuhën tuaj keni “ti” dhe “ju”
Edi Rama: Po, e kemi.
Tonino Lamborghini: E keni. Atëherë, të rinjtë duhet të mësojnë që ka “ti”, ka “ju” dhe “ju” në shumës. “Ju” në shumës nuk përdoret më, edhe pse, është shumë e bukur. Kur sheh një të moshuar që të drejtohet e të flet me “ju” në shumës është e mrekullueshme.
Edi Rama: “Ju” në shumës nuk përdoret më?
Tonino Lamborghini: Shumë rrallë, vetëm në jug.
Edi Rama: Për ta mbyllur këtë hyrje…
Tonino Lamborghini: Dola ca nga tema, ndjesë.
Edi Rama: Jo, për ta mbyllur këtë hyrje mbi babanë tuaj, kam një tjetër kërshëri, për faktin që ju jeni mes atyre jo shumë personave, që kanë pasur mundësi të shohin në ekran një film për jetën e babait tuaj, të jetuar edhe prej jush si fëmijë. Kur e patë filmin, që, për ne të tjerët, ishte një vështrim për herë të parë në historinë tuaj të brendshme familjare, çfarë përshtypje ju la?
Tonino Lamborghini: Sigurisht pata emocione. Pjesa e parë e filmit, sidomos, ishte e fortë, sepse tregonte gjithçka nga fillimi, linda unë, vdiq nëna ime, fillon dalëngadalë aktiviteti. Ishte rrëqethëse. M’u bë mishi kokërr, themi në Itali. Pjesa e dytë, sipas meje, përkon më pak me të vërtetën. Kur ia thashë regjisorit, i cili është amerikan, ma priti: “Është film, nuk është dokumentar, kështu që ka ca gjëra që duhet t’ia servirim publikut, sepse kështu e do”. Nuk ka shumë dallim midis filmit dhe realitetit. Natyrisht, unë e kuptoj dhe më bezdis që nuk ishte aq besnik ndaj historisë. Sidoqoftë, mbetet një film i bukur. Mendojeni që ka qenë në vendin e dytë për katër muaj dhe dy-tre muaj më parë, gati nga fundi i vitit të kaluar vazhdonte të qëndronte në vendin e dhjetë në botë. Është shumë, është një përqindje shumë e lartë.
Edi Rama: Është film i bukur edhe pse, nëse do të kish qenë një film anonim, thjesht i dy personazheve… po, pikërisht sepse ka kaq shumë pasion për këto legjenda dhe ka kaq shumë tërheqje drejt këtyre figurave, edhe pse ishin karaktere krejt të ndryshme, ata janë mirëfilli dy personazhe filmikë. Edhe të duash, nuk i shpik dot këta dy burra kaq të ndryshëm, të cilët luftojnë mesveti, por shkruajnë historinë. Për këtë keni të drejtë, është një film fort i dobishëm dhe interesant.
Tonino Lamborghini: Le të themi që mund të ishte treguar pak më shumë vëmendje te pjesa e dytë. Po të më lejoni, dua t’ju jap një shembull. Në orën pesë pasdite, babai dhe gjyshi im pinin çaj me filxhanë porcelani. Po ku është parë që në fshat në Itali të pihej çaj?! Shumë-shumë, pihej një gotë verë, po jo çaji, që ndoshta e pinin familjet fisnike të fillimshekullit. Ose, vdes nëna ime dhe varroset në oborrin pas shtëpisë. I thashë regjisorit: “Shiko, ne kemi varrezat prej mijëra vjetësh”. “E, po në Amerikë kështu e bënin”. Po, ndoshta në Teksas, po nuk jemi në Teksas, jemi në Itali. Ja, pra, detaje të vogla, po mund të mënjanoheshin shumë mirë këto anekdota, të bëheshin realiste. Pse t’i bësh qejfin fshatarit të Teksasit, se ai është mësuar të varrosë… Për mua, mund të shmangej, megjithatë,është film i bukur. Po edhe filmi për Ferrarin është i bukur. Duhet ta pranojmë që edhe filmi që kanë bërë për Enzo Ferrarin është shumë i bukur. Mua më pëlqeu shumë. Kam dëgjuar shumë kritika, po mua, personalisht, më ka pëlqyer shumë.
***
Sipas tij, duhet të flitet më shumë për Shqipërinë.
“Besoj që duhet bërë, sepse vendi juaj është shumë i bukur. Është shumë i ngjashëm me temperamentin dhe karakterin miqësor italian dhe është për të ardhur keq që njerëzit mendojnë është ende një vend ku thonë ‘ki kujdes, kujdes’”, shtoi ai.
Rama dhe Lamborghini diskutuan në lidhje me biznesin hotelier dhe dëshirën e sipërmarrësit për të investuar në këtë fushë.
Lamborghini tregoi se i pëlqen të investojë në këtë sipërmarrje ku ka mundësi të takohet me shumë njerëz.
“Më pëlqen të përfshihem. Më pëlqen të shkoj në një vend, kur ky vend është ende në fillimet e evoluimit të vet. Kam qëlluar edhe me shumë fat. Kam pasur fatin të takoj njerëz të cilët njohin emrin tim, gjërat që kam bërë, të cilët e kuptojnë që me aq pak sa mund të jap, sado pak, të mund të kontribuoj në përmirësimin e një sipërmarrjeje, të një nisme. Për fat të mirë, do në Dubai, a do në Tajlandë, në Kinë a do në Marok, janë të shumta nismat, në Abu-Dabi”, tregon ai.
Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk është Tirana dhe Tirana nuk është Shqipëria është pak si vitrinë e këtij transformimi pas saj ka vende më pak të zhvilluara, por ka mundësi të mëdha turizmi. Ka edhe zona fantastike me natyrën, detin, malet.
Ka kaq shumë për të bërë në Shqipëri që në disa aspekte është pak si Italia e gjyshërve tuaj me mangësitë, po edhe të mirat. Më vjen mirë që përshtypja e parë ka qenë pozitive. Iu them gjithnjë miqve dhe atyre që takoj jashtë se Shqipëria është një vend ku ‘nuk duhet të vijnë kurrë, sepse është një vend i rrezikshëm, vend i zymtë, vend i korruptuar, vend i varfër’. Po, por kjo është stigma që ekziston. Iu them nuk duhet të vini se nuk dihet ç’ju ndodh, por po erdhët do kërkoni gjithmonë të ktheheni”.
Sipërmarrësi italian tha se Shqipëria ka potenciale të shumta në fushën e turizmit.
“Shqipëria ka shumë potenciale mbi turizmin. Nuk e mohoj që, nëse kjo gjë bëhet, duhet të kem se s’bën një apartament për vete dhe për fëmijët, patjetër. Unë nuk jam më shumë i ri, por vazhdoj të udhëtoj shumë, si dhe kam shumë fëmijë. Pse të mos i njoh me një tokë që është ende për t’u eksploruar? Është e shëmtuar ta thuash kështu, ende për t’u eksploruar, po për hir të Zotit”, tha Lamborgini.
Kryeministri Rama theksoi se “përtej investimeve në këto drejtime po them që duhet menduar edhe për një hapësirë muze për gjithë këtë histori. Natyrisht Shqipëria nuk është Italia dhe është shumë paradoksale që të gjesh edhe ne Shqipëri një hapësirë muze të historisë së familjes Lamborghini, por besoj që në fund ka një lidhje është ajo që thatë ju është një emër që lind me një fisnikëri të ndërtuar me djersë, gjak, sakrifica që vjen prej tokës, ashtu si dhe Shqipëria. Është pak si një simbol frymëzues për vendin tonë”.