33-vjeçari me iniciale A.Q. nga Kruja është vënë në pranga pasi dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës eksplozive, mina artizanale, 3 herë në ambientet e jashtme të një mobilerie.
Sipas policisë, mobileria nën pronësinë e 48-vjeçarit me iniciale A.A. në fshatin Rrashbull ka qenë objektivi i 33-vjeçarit në 3 Prill 2024, 7 Mars 2024 dhe 18 Nëntor 2023.
“Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobilieri) e shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit A. Q., 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë. Nga këto veprime dyshohet se më datat 18.11.2023, 07.03.2024 dhe 03.04.2024, shtetasi A. Q. ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A.”, njofton policia.
Sjellim në vëmendje se për vendosjen e lëndës eksplozive të 3 Prillit, vetë pronari i mobilierisë, A. A., në një prononcim për gazetarët mohoi të ketë konflikte me njeri.
“Nuk kam konflikt me asnjeri në botë, rri ditë natë para derës së dyqanit këtu. As me prona nuk kam konflikt, as borxh nuk i kam njeriu, e kam me leje, me licencë, rri te dera e dyqanit serbes”.
Policia në një njoftim për ngjarjen e 3 Prillit tha ditë më parë se dyshohet që shkak për vendosjen e eksplozivit është bërë një konflikt pronësie.
“Në orët e para të mëngjesit, në Rrashbull, Durrës, në ambientet e jashtme të mobilierisë në pronësi të shtetasit L. A., 36 vjeç, është hedhur një sasi lënde e dyshuar plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie.“, njoftoi policia ditë më parë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.