Një nga emrat më të lavdishëm të volejbollit shqiptar, Dinamo, është kthyer në elitën e këtij sporti pas gati 11 vitesh. Kjo skuadër ka fituar trofeun e kampionit të Kategorisë së Parë dhe tashmë rigjen nivelin, ku ka bërë histori.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, vajzat blu kanë mundur 3-0 Elbasanin. Ndeshja u luajt në sallën olimpike “Feti Borova” dhe kryeqytetaset i fituan setet me pikavarazhin 27-25, 25-15 dhe 25-16. Më pas festa ishte e ligjshme, ndërsa trofeu i kampionit të Kategorisë së Parë u dha nga Presidentit i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Objektivi për rikthimin e një emri kaq të madh në elitën e sportit të rrjetës është realizuar falë iniciativës së trajnerit Altin Martirit. Dinamo e emrave të mëdhenj, si Ela Tase, Mimoza Ibraimi, Lulëzime Duka, Alketa Doçi, Agi Babuli e me radhës, tani synon që të shkojë në vendin që i takon, të fitojë trofe edhe në elitë. Tase, Ibraimi dhe Duka ishin të pranishme në ndeshjen me Elbasanin.
Vendin e dytë e ka zënë Flamurtari, që shkon në ‘Play-off’, ku do të ndeshet me Teutën. Vajzat vlonjate, të drejtuara nga një emër i madh si Todi Driza, shpresojnë shumë që të ngjiten në elitën e volejbollit shqiptar.