Bota Shpërthim në një hidrocentral në Itali, katër të vdekur, pesë të plagosur...

Shpërthim në një hidrocentral në Itali, katër të vdekur, pesë të plagosur rëndë dhe tre të zhdukur

Katër persona humbën jetën, pesë janë plagosur rëndë dhe tre rezultojnë ende të zhdukur pas një shpërthimi në një hidrocentral në liqenin artificial të Suvianas në Itali.

Shpërthimi ndodhi në hidrocentralin në digën e Suvijanas, rreth 70 kilometra në jugperëndim të Bolonjës.

Kryetari i bashkisë së qytetit Camunjana, Marco Masinara, tha se shpërthimi ndodhi nëntë nivele nën tokë gjatë punës në turbinat.

Ai tregoi se kishte vështirësi në arritjen e viktimave.

“Brigada e zjarrfikësve po tenton të afrohet në vendin e ngjarjes, por po hasin në vështirësi”, shtoi ai.

Zëdhënësi i kompanisë “Enel Green Power” bëri të ditur se ka rënë zjarr në transformator dhe ka treguar se janë marrë të gjitha masat e sigurisë për evakuimin dhe mbrojtjen e stafit.

Termocentrali është në pronësi të gjigantit italian të energjisë Enel.

Liqeni Suviana është një liqen artificial i vendosur në vargun malor Apenine afër Bolonjës. Liqeni u formua pas ndërtimit të një dige në 1932.