Nga Marco Bersanelli – Il Foglio
Raporti midis besimit dhe shkencës përfaqëson një debat shumë të vjetër, të karakterizuar shpesh një gabim metodologjik themelor. Këtë temë trajton edhe një libër bestseller i kohëve të fundit i Michel-Yves Bolloré dhe Olivier Bonnassies. Dhe suksesi është i pritshëm, duke pasur një titull që premton të parashtrojë prova shkencore të ekzistencës së Zotit.
Po flasim për një temë që iu intereson të gjithëve, jo vetëm akademikëve. Berberi im, Salvatore, duke e ditur që merrem me shkencë dhe që jam besimtar, më bën çdo herë shumë pyetje, të cilat në pjesën më të madhe të tyre janë çdo gjë tjetër veçse jo të parëndësishme.
Libri përmban shumë elementë të dobishëm për ata që duan të thellohen në këto tema, por për mendimin tim vuan nga një gabim metodologjik. Sepse që në fillim, “krijimi” trajtohet shprehimisht si një “teori shkencore”. Më pas, hap pas hapi, ai vihet në konkurrencë me teoritë “të tjera” dhe vlerësohet sipas ligjësive tipike të fizikës. Por secila metodë i jep përgjigje pyetjeve të caktuara, dhe jo të tjerave. Po ku qëndron vërtet problemi?
Dy argumentet kryesore kozmologjike që diskutohen në libër, nuk janë as të reja dhe as të parëndësishme. E para bazohet tek provat e qëndrueshme shkencërisht, sipas të cilave Universi po vazhdon të zgjerohet. Sipas Teorisë së Relativitetit të Përgjithshëm, ekstrapolimi i hapësirës dhe kohës në të kaluarën, na afron me një moment të veçantë, rreth 13.8 miliardë vjet më parë, ku dendësia dhe temperatura priren drejt pafundësisë dhe koha arrin në një pikë fundore.
Ne nuk mund ta vëzhgojmë atë moment fillestar, por kemi një gjurmë të drejtpërdrejtë të një faze që e pason menjëherë (në një shkallë kozmike), kur mosha e Universit ishte vetëm 0.003 për qind e moshës së tij aktuale. Ja pra ku kemi “provën teologjike” të parë: meqë shkenca ka treguar se koha ka pasur fillim, thuhet gjithashtu se ajo ka vërtetuar se Universi është krijuar nga Zoti, madje ka vendosur edhe datën e krijimit.
Por nga këndvështrimi i një besimtari, tema është e debatueshme. Para së gjithash, njohuritë tona aktuale shkencore nuk na lejojnë që të arrijmë në përfundimin se koha kozmike kishte një fillim absolut. Në fakt, ne nuk e kuptojmë mjaftueshëm Universin në fraksionet e tij të para të sekondës, kur efektet kuantike, të pa përfshira në relativitetin e përgjithshëm, luajtën një rol përcaktues.
Prandaj, nuk mund të përjashtojmë mundësinë që në të ardhmen hulumtimi shkencor të arrijë në një vizion më të gjerë, në përputhje me gjithçka që dimë sot, në të cilin ai fillim do të njihet si pjesë e një realiteti më të gjerë. E gjitha kjo është aktualisht tejet hipotetike. Por mua do të më vinte keq nëse dikush, pasi ta ketë mbështetur mbi këtë themel besimin e tij tek Zoti, një ditë ta humbasë atë për shkak të një zbulimi të mrekullueshëm shkencor.
Por ka një arsye akoma më të thellë së përse nuk mjafton kjo qasje. Edhe duke supozuar se shkenca arrin të tregojë se Universi vjen nga një veçanti unike dhe absolute, identifikimi i “krijimit” me atë moment fillestar do të ishte shumë reduktues. Në këtë aspekt, na ndihmon një episod që ka lidhje me njërin prej baballarëve të kozmologjisë bashkëkohore, Georges Lemaître.
Ai ishte i pari që interpretoi vëzhgimet e Slipher dhe Hubble, si një tregues të zgjerimit të Universit, dhe propozoi një version të parë të asaj që tani njihet si teoria e “Big Bangut”. Po ashtu, Lemaître ishte një prift katolik dhe president i Akademisë Papnore të Shkencave.
Në vitin 1951, gjatë një fjalimi të mbajtur para saj Papa Piu XII e identifikoi me entuziazëm Fiat Lux-in e librit të Zanafillës me hipotezën shkencore të fillimit inkandeshent të Universit.
Lemaître kërkoi menjëherë një audiencë me Papën, gjatë së cilit e bindi se deklarata e tij ishte tejet e papërshtatshme. Teologu-shkencëtar donte të ruante dallimin midis niveleve të ndryshme të mendimit dhe njohurive.
Siç tha më vonë: “Unë kam shumë respekt për Zotin dhe nuk mund të bëj një hipotezë shkencore për të”. Të kufizosh veprimin krijues të Zotit në një çast në të kaluarën e largët, do të thotë të pakësosh shtrirjen e tij. Siç e tha më të drejtë Papa Benedikti XVI “Zoti nuk është një hipotezë e largët, një i panjohur që u tërhoq pas Big Bengut”.
Nëse ekziston një Zot, veprimi i tij krijues nuk shteron duke i dhënë “pamjen fillestare” botës, por mbetet në “ndërtimin e Universit” në çdo çast, në kapërcimin e hendekut të pafund midis mosqenies dhe qenies së gjithçkaje dhe vetes. Nëse do të kishte një fillim të kohës, ai moment i parë dramatik është po aq i krijuar sa edhe momenti i tanishëm.
Sipas fjalëve të Lemaître, Krijuesi “është pas çdo qenie dhe çdo ngjarje”. “Prova teologjike” e dytë, niset nga një fakt tjetër i konsoliduar shkencërisht, pra nga vëzhgimi se ligjet fizike që rregullojnë Universin, duken të predispozuara për të prodhuar kushtet e nevojshme për shfaqjen e jetës.
Dhe në veçanti, disa konstante të pranishme që nga fillimi i historisë kozmike si ngarkesa dhe masa e grimcave elementare, parametrat kozmologjikë e kështu me radhë, të cilat duken të akorduara me shumë. Do të mjaftonte të modifikohej qoftë edhe shumë pak vlera e disa prej këtyre parametrave, dhe Universi do të ishte plotësisht i lirë nga strukturat, dhe i paaftë për të pritur çdo formë jete.
Ky “rregullim deri në detaje”, mund të shihet shumë qartë: nëse ekziston diçka, për shembull flutura e vogël që është ulur në gurin që gjendet këtu përballë meje, kjo do të thotë se në historinë e Universit një kombinim i rrethanave të rastësishme dhe i ligjeve universale, ka prodhuar kushtet e nevojshme për të ekzistuar ky insekt i vogël.
Por ajo që është gjithçka tjetër veçse e dukshme është ekzistenca e fluturës: në një Univers hipotetik, në të cilin kushtet fillestare ishin paksa të ndryshme, ekzistenca e kësaj krijese të vogël do të ishte e pamundur. Dhe gati të gjitha kushtet e “rregullimit deri ne detaje” do të vlejnë edhe për gurin mbi të cilin u ul flutura.
Po atëherë pse e theksojmë këtë lidhje me mundësinë e jetës? Ndoshta sepse ne vetë jemi qenie të gjalla, dhe nuk e kemi humbur ende zakonin për të vendosur veten në qendër të gjithçkaje? Nuk është tamam kështu. Në fakt, ekziston një sens objektiv, i pavarur nga ne, me anë të të cilit materia e gjallë është diçka absolutisht “e veçantë” në panoramën kozmike: shkalla e saj marramendëse e kompleksitetit.
Nga ky këndvështrim, një qelizë e vetme e gjallë tejkalon çdo sistem fizik jo-biologjik: një planet (pa jetë…), një yll, një galaktikë. Nëse paradoksalisht, vetëdija jonë nuk do të ishte e lidhur me ndonjë ind të gjallë, duke parë Universin ne do të vazhdonim të habiteshim pse ekziston një lidhje kaq e thellë dhe delikate midis ligjeve fizike universale dhe atyre objekteve të jashtëzakonshme – organizmave biologjikë – për të cilat ne nuk jemi aq të vetëdijshëm.
Po çfarë ndikoi që ligjet fizike të merrnin formën që kanë sot? Kush ose çfarë i vendos parametrat? A është kjo një provë shkencore se Zoti ekziston? Edhe këtu është mirë të mos ngatërrohemi. “Rregullimi deri në detaje” nuk ka asnjë shpjegim brenda fizikës së njohur, por ekziston sërish mundësia që ajo që dimë sot të jetë shumë pak.
Për shembull, në të ardhmen mund të zbulojmë, se Universi është shumë më i madh dhe më i larmishëm nga sa besojmë aktualisht, dhe ato që ne i konsiderojmë si konstante universale, në realitet nuk janë të tilla, por ndryshojnë pak në shkallë të panjohura.
Kjo do të justifikonte faktin se në rajonin e Universit që na rrethon, këto konstante janë në harmoni me jetën dhe me ekzistencën tonë. Nga ana tjetër, ekzistenca e Zotit është padyshim një hipotezë e një rendi metafizik, dhe do të jetë gjithmonë e tillë. Shkenca nuk mund të vërtetojë ekzistencën e Zotit, thjesht sepse Zoti nuk është “lloj gjëje”, të cilën shkenca është në gjendje ta hetojë me metodat e saj.
A do të thotë kjo se feja dhe hulumtimi shkencor janë dy botë të ndara, mes të cilave nuk ka asnjë lidhje? Jo. Kontributi i shkencës, është të nxjerrë në dritë pikëpamje të reja për të njëjtin Univers që në hipotezën fetare është krijimi i Zotit. Në të prania e Krijuesit nuk imponohet përmes rrugëve të pakthyeshme të provave shkencore. Përkundrazi e provokon arsyen tonë dhe i ofrohet lirisë sonë me maturi, duke e “ri-mbuluar” veten përmes shenjave të natyrës.