Kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi, është thirrur sot në SPAK, ku ka qëndruar për më shumë se një orë. Pas daljes nga organi i akuzës ai tha se u pyet për disa gjëra. Pyetjes së gazetarëve nëse u pyet për McGonigal, të cilin e ka shpallur qytetar nderi të Tropojës, Byberi u përgjigj:
“E kam prit si mik, e dua si mik dhe jam krenar që Tropoja pret miq dhe i respekton”.
Ish-zyrtari i lartë amerikan është nderuar si “Qytetar Nderi” më 23 shtator 2021 nga Bashkia e Tropojës dhe kryebashkiaku socialist Rexh Byberi.
Për këtë reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në atë kohë tha se ky ishte një urdhër i Ramës, për të goditur direkt kreun e PD-së.
“Rama ka urdhëruar shpalljen e tij qytetar nderi në Tropojë për të shpërblyer angazhimin që ai ka bërë kundër meje”, tha Berisha.
Kujtojmë se Gjykata federale e Uashingtonit dënoi në shkurt të këtij viti me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.