Igli Tare nuk e ka gjetur ende klubin e ri, pas largimit nga Lacio. Emri i tij është lakuar shpesh në klube të ndryshme, por konkretisht nuk ka pasur asnjë marrëveshje mes drejtorit sportiv shqiptar dhe ndonjë skuadre.
Ofertat e fundit për Taren kanë ardhur nga Londra. Sipas shtypit italian, ka kontakte mes klubeve të Çelsit dhe Totenhemit për drejtuesin e suksesshëm shqiptar. Mbetet të shihet tani nëse ndonjë nga këto pista do të avancojë apo jo.
Fakt është se Tare preferon të qëndrojë në Itali, një terren që ai e njeh mjaft mirë. U përfol fillimisht te Napoli, por ky klub tashmë e ka zgjedhur drejtorin e ri sportiv.
Një mundësi e hapur është Fiorentina, por mund të ketë edhe ndonjë surprizë.
Vetë Tare nuk kërkon të nxitohet për të ardhmen.
Pas 18 vitesh te Lacio, po pret me qetësi alternativën më të mirë për të.