Më 17 prill do të vendoset fati i ish-kryebashkiakut Vangjush Dakos në raport me drejtësinë.
GJJKO vendosi sot që më 17 prill të merret vendimi nëse dosja e tij do kalojë ose jo për gjykim.
Pasi doli nga Gjykata, Dako zgjodhi të mos japë asnjë koment për gazetarët. Mësohet se gjatë seancës së sotme janë diskutuar aktet e Prokurorisë dhe ekspertiza e kryer për “Promenadën bregdetare”.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit ka mohuar çdo akuzë ndaj tij, por në seancë ka pasur edhe debate të forta.
Dako akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”, në dy raste, ku bëhet fjalë për ndërtimin e disa kateve pa leje të një pallati në Durrës.
Gjyqtari i seancës paraprake ka kërkuar përgatitjen e akt ekspertimit kontabël-financiar për të parë dëmet ekonomike dhe vlerat reale të të gjitha punimeve sa i takon Promenadës në Durrës.
Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, ndërsa u lirua nga “arresti me burg” për t’u vendosur në “arrest shtëpie” në 7 Shkurt 2024.