Ka shkuar në gjashtë numri i viktimave si pasojë e një sulmi me thikë që tronditi Sidnein mesditën e së shtunës (me orën lokale).
Ngjarja e rëndë ndodhi në qendrën e madhe tregtare Bondi Junction Westfield, ku një 40-vjeçar nisi të sulmonte me thikë qytetarët që kishin dalë për të bërë pazare.
Mes viktimave është edhe një nënë 38-vjeçare e cila mori plagë teksa përpiqej të mbronte foshnjën e saj 9-muajshe nga duart e 40-vjeçarit.
Gjendja e foshnjës sipas mjekëve paraqitet e rëndë si pasojë e plagëve të marra.
Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se sulmuesi, i cili kishte veshur një bluzë bejsbolli të gjelbër dhe pantallona të shkurtra jeshile, kishte motive terroriste apo ideologji radikale.
Autori i sulmit, i cili nuk ishte emër i panjohur për policinë, u vra nga një police në vendin e krimit.
Policia është e sigurt se ai po vepronte i vetëm. Kjo e sotmja është vrasja më rëndë në masë në Sidnei, që nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Quakers Hill në vitin 2011, ku mbetën të vrarë 11 njerëz.