Për fabrikat e blojës, lëndë primare për prodhimin e miellit vijojnë të mbeten drithërat e importit. Sasia e blerë prej tyre te fermerët është shumë e ulët, pavarësisht disa takimeve të zhvilluara në të kaluarën nga Ministria e Bujqësisë, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bujqësisë.
Importet e drithërave në muajt janar-shkurt 2024 u rritën me 51% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, sipas të dhënave të INSTAT.
Vasfi Sherifi, drejtuesi i kompanisë AGROVAS-SHE, si dhe njohës i bujqësisë, tha se arsyeja kryesore e mosshitjes së grurit te fabrikat e blojës është cilësia e prodhimit.
“Për grurin e prodhuar në vend, problem mbetet cilësia. Kjo vjen për shkak të një sërë faktorësh. Së pari është që fara e mbjellë nuk është homogjene, pra të ketë një farë të certifikuar.
Fermerët përdorin fara të ndryshme, të cilat ulin rendimentin. Së dyti, te secili prej tyre ndryshon formula teknologjike për plehërimin e tokës. Të gjithë këta faktorë dëmtojnë cilësinë”, tha ai.
Edhe për kryetarin e Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, arsyeja e mosfurnizimit me sasi të lartë të grurit vendas është se nuk garantohet cilësia. Sipas tij, nga gruri i vjetshëm është blerë një sasi prej 5 mijë tonësh nga fabrikat e blojës. Ndërsa në tregun e huaj, gruri po blihet nga importuesit me çmim 270-280 USD për ton.
Tregjet kryesore furnizuese për fabrikat e përpunimit të miellit janë Italia, Ukraina dhe Rusia.
Për të zgjidhur problematikën me tregun e shitjes së grurit, vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikoi disa masa afatgjatë, ku përfshihej rritja e kapaciteteve magazinuese nëpërmjet financimit në masën 50% të investimit nëpërmjet granteve nga programi IPARD III.
Një ndër kushtet për përfitimin e granteve parashikohej të ishte përdorimi i farës së certifikuar nga fermerët, për të rritur rendimentin.
Por pas fillimit të hetimeve nga OLAF në muajin korrik 2023 për dyshimet për abuzim me shpërndarjen e granteve të IPARD II, çelja e programit IPARD III ka mbetur ende e bllokuar./Monitor