Dafina Zeqiri, e ftuar në “E Diela Jonë”, ka folur për shumëçka, sidomos për dasmën dhe dashurinë me partnerin e saj, Kreshnikun.
Dafina u shpreh se për dasmën po merret burri. Ajo thjesht është përfshirë nga pak, nga ana e muzikës:
“Nga fundi i vitit, me kismet e kemi lënë të martohemi”, tha ajo, duke shtuar se nuk do që të bëjë dasmë në sezon veror.
Këngëtarja tregoi se me Kreshnikun ka vite që njihet:
“Kreshnikun e njoh prej 15 vitesh, e kam shok shumë të mirë, e kam dashur shumë. Ai ka qenë gjithmonë aty për mua. E kam marrë në telefon edhe kur kam qenë zemërthyer. Në asnjë moment nuk e kam ditur që ai ka një pëlqim tjetër për mua. E kam konsideruar si familje, që në fillimet e mia të karrierës. Thonë ndonjëherë që e ke dashurinë e jetës aty, po s’e sheh. Është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetë. Kur erdhi momenti që u lidhëm, në fillim, isha në shok. Është gjëja më e mirë që ka ndodhur në jetën time. Jam bashkë me shokun tim të jetës, që e di si të më bëjë të lumtur dhe të më mbështesë”.
Ajo ceku edhe pjesën e komenteve, të cilët thonë se gjërat mes saj dhe Kreshnikut “rrodhën shpejt”:
“Shumë njerëz mund të thonë se është shumë shpejt (dasma), por ata nuk e dinë historinë që kemi ne. Shumë thjesht, jemi të dy në një moshë që e dimë se ç’duam nga jeta dhe nga partneri. Kur u lidhëm bashkë e dinim që do të krijonim familje dhe kaq ishte”.
Duffy s’i shpëtoi pyetjes për një bebe, së cilës iu përgjigj: “Edhe tek unë, edhe te Kreshniku është një ndjesi shumë e bukur dhe jemi të emocionuar. Jemi shumë të hapur që kemi një fëmijë. Kurdo që të ndodhë, e kemi të mirëpritur. Nuk kam bërë testin dhe nuk e di nëse jam shtatzënë dhe tani. Kur të bëhem nënë, prioritet do të jetë fëmija dhe jo koncertet. S’po e them që do e lë muzikën, por s’do jem shumë aktive”.
A është Dafina një nuse tradicionale, që bën punët e shtëpisë? Ndoshta s’e pret përgjigjen, por po!
“S’ka gjë që nuk bëj! Unë fshij, laj, gatuaj. Kur vijnë bashkëpunëtorët e mi në shtëpi për ndonjë spot, më thonë: “Dafinë, po të vjen shtëpia era pastërti”. E kam prej fëmijërisë që kemi qenë vajza dhe jemi kujdesur për njëra-tjetrën. Për mua, pastërtia është gjithçka. Jam shumë me fat, sepse Kreshniku dhe i ati i tij, gatuan shpesh. Burrat në shtëpinë e tij kontribuojnë shumë”.
Sa i përket marrëdhënies së saj me familjen e Kreshnikut, Dafina tha se ka raporte shumë të mira dhe ndihet si në shtëpinë e saj.
Ndërkohë, Dafina mori propozimin për martesë gjatë ditëlindjes së saj.