Si do të reagojë Izraeli ndaj sulmit të Iranit? Kryeministri Benjamin Netanyahu, në pushtet prej 15 vitesh, këmbëngul në tregimin e muskujve dhe mban afër aleatët e së djathtës ekstreme. Nga 1 prilli është strehuar në një bunker anti-bërthamor.
Davide Frattini – Corriere della Sera
Kur Benzion Netanyahu kujdesej për kopshtin e shtëpisë në Jerusalem, ai e detyroi të birin ta ndihmonte: ujitje, pleh dhe zhdukje e barërave të këqij. Dhe përsëri, e njëjta gjë. Një përpjekje që fëmijës i dukej e pakuptimtë, barërat vazhduan të rriteshin, kështu që babai i shpjegoi rëndësinë e këmbënguljes ndaj bimëve të liga, “përndryshe ato do të infektojnë gjithçka”.
Vizioni pesimist i botës u transmetua si një pleh forcues tek Benjamini i vogël nga prindi i tij, i cili si historian studioi persekutimet e inkuizicionit spanjoll kundër hebrenjve gjatë gjithë jetës së tij (vdiq në moshën 102-vjeçare).
Rreziku i një rikthimi në vitet e errëta nxiti vendosmërinë e kryeministrit më jetëgjatë kundër rrezikut të një Irani me një bombë atomike. Sipas mantrës, siç e titulloi revista “Time” kur e vendosi për herë të dytë në kopertinën e saj pesë vjet më parë: “Ai që është i fortë mbijeton”.
“Lufta në hije” midis dy armiqve u ndriçua nga ndezjet e shpërthimeve ndërsa sistemet e mbrojtjes kapën qindra drone të lëshuar nga Teherani dhe Benjamin Netanyahu tani duhet të vendosë se cila është shfaqja më efektive e forcës.
Tani për tani kryeministri – shkruan “New York Times” – do të kishte ndjekur këshillën e imponuar nga Presidenti Joe Biden dhe do të ndalonte hakmarrjen e menjëhershme. Se si ai u ndalua e tregon autobiografia e tij – My Story – kur donte të urdhëronte bombardimin e qendrave bërthamore iraniane.
Planet tashmë janë parë dhe rishikuar. Disa skuadrone të F-35 – rindërton gazeta Jerusalem Post – do të fluturonin mbi kufirin midis Sirisë dhe Turqisë dhe do të vazhdonin drejt Irakut (pavarësisht kundërshtimit të këtyre vendeve). Grupet e tjera mund të kalojnë përmes Arabisë Saudite, nëse e lejon, dhe Gjirit Persik. Pas dy mijë kilometrash, objektivi i parë do të ishte mbrojtja kundërajrore iraniane që mbrojnë vendet atomike.
Problemi: për të shkatërruar ato të ndërtuara 80 metra nën tokë, nevojiten bomba 13 tonësh “bunker buster”, të cilat as miku Donald Trump nuk pranoi t’i furnizonte. Në pushtet për 15 vjet – me përjashtim të 563 ditëve të kaluara në opozitë midis 2019 dhe 2021 – Zoti Siguria e di se duhet të rifitojë besimin e izraelitëve, ai e di se mund të humbasë edhe më shumë.
Në sondazhet për zgjedhjet që do të mbërrijnë herët a vonë ai është i pushtuar nga Gantz. Në vend të fuqisë ushtarake – spekulojnë disa analistë – ai duhet të shfrytëzojë mundësinë diplomatike për të forcuar marrëdhëniet me vendet arabe sunite, ai që gjithmonë e ka konsideruar Marrëveshjen e Abrahamit trashëgiminë e tij për kombin.
Megjithatë, ai nuk duket se dëshiron të ndryshojë strategjinë: ai vazhdon dhe i mban aleatët e tij të së djathtës ekstreme me reagimet e tyre “pavloviane” – komenton Anshel Pfeffer në gazetën Haaretz – në favor të “hakmarrjes shkatërruese”. Ndërsa komanda e Frontit të Brendshëm ajroste strehëzat publike dhe këshillonte qytetarët të qëndronin pranë mbrojtjeve nëntokësore, çifti kryeministror zuri vend në vilën e ofruar si hua nga manjati amerikan Simon Falic: jo aq për pishinën e brendshme, por për bunkerin kundër sulmit bërthamor, shkruan revista digjitale Walla. Edhe një herë politikani që përfundoi në telashe ligjore për kutitë e purove dhe shampanjës të marra si dhuratë, dëshmon se i përket atyre elitave që në 1996 – fitorja e parë, e para nga gjashtë mandatet gjithsej – premtoi se do të largohej nga pushteti.
Pesëdhjetë vjet më parë Golda Meir dha dorëheqjen si kryeministre gjashtë muaj pas përfundimit të luftës së Yom Kipurit: megjithëse komisioni i krijuar për të hetuar gabimet e inteligjencës dhe strategjike e kishte shpallur të pafajshme, ajo ndihej përgjegjëse për fatkeqësinë fillestare dhe mbi të gjitha izraelitët e konsideruan të tillë.
Netanyahu nuk ka pranuar ende asnjë përgjegjësi për masakrën e kryer nga terroristët e Hamasit më 7 tetor, e cila u favorizua edhe nga gabimet e tij. Në vitin 1973 ai u kthye nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar dhe me të në avion ishte Ehud Barak. Ai ishte komandanti i tij në forcat speciale, tani i bën thirrje që të largohet.