Nëna e 3-vjeçarit që mbahet i fshehur nga gjyshërit e tij nga ana e babait, ka kërkuar nga uniformat blu të gjejnë se ku ndodhet i mituri, i cili prej 4 ditësh rezulton i zhdukur.
I mituri, babai i të cilit ka ndërruar jetë rreth një vit më parë në një aksident me makinë, është marrë nga gjyshërit e tij për t’u mbajtur për disa orë. Por Rexhep Gjuni dhe bashkëshortja e tij kanë refuzuar t’ia kthejnë nipin të ëmës.
Ille Gjuni ka deklaruar për mediat se është e shqetësuar për fatin e fëmijës së saj, pasi nuk e di ku ndodhet dhe nëse është mirë.
Ajo është shprehur se nuk ka dijeni pse vjehrrit ia kanë marrë djalin, duke shtuar se nuk e ka penguar kurrë fëmijën të shkonte tek gjyshërit.
“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë fëmijën të shkonte te gjyshërit e tij”, ka deklaruar nëna e djalit 3 vjeçar.
Ajo ka pritur disa orë dhe kur vjehrri me vjehrrën nuk i kanë kthyer fëmijën i ka telefonuar, por celulari i tyre ka rezultuar i fikur.
Gruaja ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën.
Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur. Më pas, Rexhep Gjuni ka refuzuar të bashkëpunojë me policinë.