Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka kërkuar ballafaqim me kreun e SPAK, Altin Dumani, pasi ky i fundit mohoi që të jetë takuar ndonjëherë me ish-agjentin e FBI Charles McGonigal.
Meta foli për mesazhe që i jepen atij, përmes gazetarëve që dalin në dosje Metamorfoza.
“Unë njeri nuk kërcënoj. Por unë jam Ilir Meta o super budallenj, o supertarallakë, kudo ku jeni, në politikë edhe në SPAK. Të më dërgojë patronazhistë e të më thotë ik se i ke punët keq, si Arben Ahmetaj… Ai të ketë kujdes se do të ikë se ku do të shkojë nëse vazhdon me veprime të paligjshme, mafioze, nëse vazhdon me këtë mendësi policeske, se Gjykata vendos afërmendsh atë që kërkon prokuroria.
Di Pietro përfundoi në hajdut tenderash në Itali, nëse SPAK është shpresë kaq e madhe, të shndërrohet në parti politike le të dalë dhe të përballet, dhe jo të çojë lajme me gazetarët që dalin te dosja Metamorfoza, dhe numërojnë eurot që i ka dhënë grupi Bajrave. I mora thotë ajo. Laraskat mund ti kapin, por Partia e Lirisë ka 300 mijë Vojo Kusha, këtu në Amerikë, Bruksel e në të gjithë botën”, tha Meta.
Sipas Metës, kushëriri i Nuredin Dumanit, siç e quajti ai, kreun e SPAK, mori peng PD-në përmes Charles McGonigal, por edhe partinë që ai tashmë drejton.
“Nuredini pavarësisht se është një personazh i një bote që e ka zgjedhur vetë, ka më shumë integritet se kushëriri i tij. Ky është zgjedhur për të respektuar kushtetutën. Nuredini ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karafil mendon se mund të bëhet një vrasës i suksesshëm i pluralizmit politik në vend. Ky mendon se mund ta arrijë përmes Ramës me McGonigal, siç është rasti i kryetarit të PD që ishte peng, apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Këtë e gënjejnë se do ta bëjnë kryeministër dhe qesh Shqipëria sot. Dikur kështu gënjenin dhe Fatos Klosin. U bëj thirrje kushërinjve të Nuredinit të bëhen gati nëse e dinë kaq të thjeshtë punën e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës të pyesin edhe mentorët e tyre se si e kanë parë veten shumë shpejt nga pozita e të fortit në atë të të shtrydhurit nga politika. Ky as në nivelin e Nuredinit nuk është dhe nuk prisnim që të thoshte që e kam takuar McGonigal”, tha Meta.