Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi në fjalën e tij për procedurë në seancën planerë, i ka kërkuar kryeparlamentares shpjegim se pse është bllokuar kërkesa e opozitës për mocion me debat në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike.
Bardhi tha se PD-ja ka shprehur shqetësimin që lufta e qeverisë ndaj këtij fenomeni ka ceduar dhe ka favorizuar grupe kriminale, duke sjellë çështjen e Olsi Ramës.
“Në shkelje të rregullores ju anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në konferencën e kryetarëve, në kundërshtim me rregulloren, keni vendosur mos e sillni në seancë. Duhet të respektoni atë dispozitë që u aplikua në Konferencën e Kryetarëve.
Grupi i PD-së, ka paraqitur kërkesë për mocion me debat në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike në Shqipëri. Duke shprehur dhe shqetësimin që lufta e qeverisë në raport me këtë fenomen ka ceduar duke favorizuar grupe kriminale. Për këtë kemi sjellë rastin e vëllait të kryeministrit Olsi Rama, sa i takon laboratorit në Xibrakë.
Ju keni vendosur t’i hiqni çdo mundësi kontrolli opozitës. Kur e bllokon, ju keni detyrimin, të jepni shpjegime pse e bllokoni, të dilni hapur si avokat i Ramës ne kemi detyrimin të informojnë seancën për 10 minuta sepse duhet të ndodhë”, u shpreh Bardhi.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, ka kundërshtuar dhe njëherë mocionin me debat në Kuvend për çështjen Xibraka, duke thënë se është e ezauruar dhe nuk ekziston më për ta.
“Vërtet diskutuam këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve, qëndrimi ynë ishte i qartë, madje nuk pranuam as rendin e ditës, pasi është një çështje e ezauruar gjerësisht si në organet e drejtësisë dhe në parlament.
Po të lexosh referencën lidhen duke filluar që nga grupi Habilaj që është trajtuar gjerësisht, për të vazhduar me Xibrakën që është hetuar dhe gjykuar dhe mbi të gjitha dhe një debat politik është bërë në parlament për këtë çështje.
Kujtojmë që në 2018 është ngritur dhe një komision hetim që e ka ezauruar të paktën debatin politik për këtë çështje Për ne nuk ekziston më kjo çështje, prandaj nuk ka asnjë arsye të ketë një mocion, një debat për këtë çështje”, u shpreh Çuçi.