Gazeta e njohur greke “Ta Nea” shkruan për të kaluarën e errët të Fredi Belerit, kandidatit të Kyriakos Mitsotakis për eurodeputet në zgjedhjet e 9 qershorit. Bëhet fjalë ngjarjen e 19 marsit të vitit 1995 ku Fredi Beleri, bashkë me 6 persona të tjerë u arrestuan pranë kufirit me Shqipërinë.
Në bagazhet e dy makinave të tyre ata mbanin 9 kallashnikovë, dy pistoleta, bajoneta, radio, uniforma kamuflazhi dhe kapuç.
“Ta Nea” sjell në vëmendje faktin se kjo ngjarje mori përmasa të mëdha në shtypin grek të kohës ku shkruhej se një grup paramilitarësh do të sulmonin shtetin fqinj.
Kjo histori e vjetër, ishte harruar ndoshta për shumicën e opinionit grek, por që në mediat e vendit fqinj u rikthye në lajm pas ankesës së ish-ministrit të Arsimit, Nikos Fili, i cili i kërkoi publikisht pak ditë më parë kryeministrit Kyriakos Mitsotakis që të përjashtojnë kandidaturën e Fredi Belerit nga lista e kandidatëve të tij për eurodeputet të propozuar nga Demokracia e Re.
Më tej në artikull theksohet se arrestimi i 7 personave, mes të cilëve edhe Fredi Beleri, u dha alarmin autoriteteve greke të kohës, pasi një vit më parë persona të panjohur kishin hyrë nga Greqia në Shqipëri dhe kishin vrarë dy ushtarë shqiptarë në repartin ushtarak të Peshkëpisë në Gjirokastër.
Për këtë “Ta Nea” publikon në numrin e kësaj të enjte edhe faqen e parë të saj të botuar të hënën e 20 mars 1995, që mbante titullin “7 provokatorët e kapur në kufi”.
Gazeta “Ta Nea” duke iu referuar edhe dëshmive të kohës thekson se “nuk kishte dyshim se të arrestuarit po planifikonin të sulmonin një objektiv ushtarak në Shqipëri që ishte në një distancë të shkurtër nga kufiri.”
Madje jo vetëm kaq pasi në këtë pasi e përditshmja greke duke iu referuar të njëjtave dëshmi thekson se në atë kohë u zbulua se ishte afërsisht i njëjti grup, ose të paktën disa nga anëtarët e tij ishin të njëjtë me ata që kishin sulmuar repartin e Peshkëpisë.
Nisur pikërisht nga kjo e shkuar e errët, “Ta Nea” shkruan se kandidatura e Belerit do t’i bëjë më shumë dëm sesa mirë listës së kryeministrit Mitsotakis.
“Kyriakos Mitsotakis mund ta konsiderojë kandidaturën “blu” të Belerit si një shenjë “patriotike” dhe “të djathtë”, e cila do të rezonojë me bazën tradicionale të partisë në pushtet, megjithatë pala tjetër beson se prezenca e kryebashkiakut të Himarës në fletëvotimet e PD-së, për shkak të së shkuarës së tij “të errët” do të sjellë më shumë humbje sesa fitime”.
Οκτώβριος 1994
Η παραστρατιωτική τρομοκρατική οργάνωση ΜΑΒΗ με προκήρυξη της αναλαμβάνει την ευθύνη για την επίθεση στο στρατόπεδό της Αλβανίας και επιδεικνύει φωτό με το κλεμμένο οπλισμό
2/5 pic.twitter.com/YDauTKITt6
— nyrros🐦 (@Nyrros) April 15, 2024
Fredi Beleri ndodhet në burg i dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me 2 vite për korrupsion zgjedhor, pasi në zgjedhjet e shkuara vendore tentoi të blejë vota.
Pyetja e madhe për qeverinë shqiptare të Edi Ramës theksojnë mediat greke është se si do ta trajtojë në vijim çështjen e Fredi Belerit nëse ai zgjidhet më 9 qershor si një nga 21 eurodeputetët që do të përfaqësojnë Greqinë në Bruksel në pesë vitet e ardhshme, por që aktualisht mbahet në paraburgim.