Sport Cannavaro në Tiranë: Kombëtarja juaj luan futboll me pasion, trajneri më pëlqen...

Cannavaro në Tiranë: Kombëtarja juaj luan futboll me pasion, trajneri më pëlqen shumë

Fabio Cannavaro, ish-mbrojtësi i famshëm italian ishte i ftuari special i FSHF-së në kursin për trajnerë “UEFA PRO”. Kampioni i botës me Kombëtaren italiane të futbollit dhe fituesi i Topit të Artë, zbarkoi në Shqipëri këtë të enjte dhe mbajti një leksion të hapur për të gjithë pjesëmarrësit në kursin “UEFA PRO”, me temën “Nga futbollist në trajner, nga sukseset në fushë në kampionatet e fituara në pankinë”.

Aktiviteti u drejtua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea dhe u përshëndet edhe nga zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, teksa të ftuar ishin edhe drejtues dhe përfaqësues të klubeve shqiptare, trajnerë, futbollistë, e ish-futbollistë.

Pas përfundimit të leksionit, Cannavaro vlerësoi edhe Kombëtaren shqiptare të futbollit.

“Kombëtarja shqiptare që është nën drejtimin e një trajneri shumë të mirë më pëlqen shumë. Disa prej lojtarëve kanë eksperiencë ndërkombëtare dhe në të gjithë Europën. Luajnë futboll të bukur dhe me shumë pasion dhe me siguri populli është krenar me këta lojtarë” – theksoi ish-mbrojtësi i famshëm italian në një prononcim për fshf.org.

Më tej, Kampioni i Botës dhe fituesi i Topit të Artë dha edhe një mesazh për kursantët e UEFA PRO duke i inkurajuar që të punojnë shumë për të arritur sukses. “Trajnerët e rinj duhet të studiojnë sa më shumë sepse futbolli është në evoluim të përditshëm dhe nëse nuk studiojnë mbeten pas dhe është një mëkat” – përfundoi Fabio Cannavaro.

Fabio Cannavaro bëri edhe një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku pa ambientet e reja të FSHF-së, dhe qendrën stërvitore të Kombëtares shqiptare të futbollit. Sakaq, ditën e premte, një leksion për kursantët e “UEFA PRO” do të mbajë edhe Francesco Troise, i cili në karrierën e tij ka punuar me Fabio Cannavaron.