Aktualitet Fshehën 5.7 mln euro me Call Center, Gjykata e Tiranës dënon me...

Fshehën 5.7 mln euro me Call Center, Gjykata e Tiranës dënon me nga 9 vjet burg italianët

Tetë italianë u dënuan me burg nga Gjykata e Tiranës me akuzën se fshehën të ardhurat nëpërmjet Call Centera-ve. Në një njoftim për mediat, prokuroria e Tiranës tha se gjykata kishte pranuar kërkesën e saj dhe kishte dënuar me nga 9 vjet burg 7 persona dhe një tjetër me 3 vjet heqje lirie.

Sipas prokurorisë, “përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.3230 të vitit 2022, u kërkua nga Prokuroria dhe u dënuan nga gjykata, 8 shtetas italianë dhe 15 shoqëri të cilat nuk deklaruan një shumë të ardhurash prej 5.799,010 euro”.

“Nga hetimi i prokurorisë rezultoi se në llogaritë bankare të 15 subjekteve me fushë operimi ‘Call Center’, u transferuan vlera të konsiderueshme monetare të cilat më pas janë tërhequr kesh duke iu fshehur destinacioni përfundimtar. Nga analizimi i veprimeve hetimore, rezultoi se administratoret e subjekteve ‘Call Center’ shqiptare dhe të huaj, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë qarkulluar vlera monetare të cilat nuk janë raportuar si e ardhur në organet tatimore, duke shmangur kështu dhe përllogaritjen dhe pagimin e detyrimeve tatimore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Hetimet për çështjen në fjalë nisën në vitin 2022 dhe u kryen nga prokurori Bledar Valikaj.