Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Rexhep Gjunin (gjyshi i djalit 3 vjeçar të zhdukur) dhe Arben Selajn (vëllai i Bahrije Gjunit, e shpallur në kërkim) të akuzuar për marrje të padrejtë të fëmijës.
Avokatja Arta Gecaj njoftoi për mediat masën e sigurisë, por pa dhënë asnjë detaj tjetër sa i takon hetimeve.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të trajtimit të çështjes që lidhet me minorenë. Marrja pa të drejtë e fëmijës, për të cilin policia vijon kërkimet ende, u denoncua nga e ëma e 3-vjeçarit Ille Gjuni më 13 prill.
Krahas dy të arrestuarve policia shpalli në kërkim gjyshen Bahrije Gjuni e cila mori fëmijën bashkë me vëllain e saj Flamur Selaj.
Kontrollet për gjetjen e vendndodhjes së 3-vjeçarit vazhdojnë me intensitet nga policia e Durrësit, ku është kërkuar bashkëpunimin e disa drejtorive në vend. Ille Gjuni, 23 vjeçe, nënë e një fëmijë të vetëm tha se pas vdekjes së të shoqit në aksident rrugor e dërgonte djalin te gjyshërit rregullisht, por të shtunën e kaluar nuk e kthyen më te e ëma, me pretendimin se u përket atyre.