Kryesore “Çfarë do t’u thuash shqiptarëve për mandatin e katërt?”, Rama: Të ngremë...

“Çfarë do t’u thuash shqiptarëve për mandatin e katërt?”, Rama: Të ngremë stekën e luftës ndaj korrupsionit

Kryeministri Edi Rama ka ftuar në podcast ditën e sotme ish-deputetin e PD-së, Mark Markun. Gjatë bisedës, ka qenë ish-deputeti i PD-së, Marku, ai i cili i ka drejtuar pyetje kryeministrit Rama në lidhje me mundësinë e marrjes së një mandati të katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Kryeministri Rama ka thënë se synimi është që të ngrihet më shumë steka e luftës kundër korrupsionit në të gjithë frontit. Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se ky është një moment i rëndësishëm ndryshimi që është sa inkurajues, aq edhe i dobët, teksa ka thënë se garantimi i pathyeshmërisë së Reformës në Drejtësi është i domosdoshëm.

Pjesë nga biseda:

Mark Marku: Normalisht në politikë ti e di shumë mirë që s’ka kurrfarë garancie. Ajo çka ti e pret nesër, ndodh sot dhe ajo çka ti pret pasnesër të ndodh pas 10 viteve, nuk ndodh kurrë. Kështu që këtë mendoja dhe kaq dhe iu përgjigja një ftese shumë këmbëngulëse dhe mendoja që po, mund të bëhet.

Edi Rama: Ok, pres pyetjen.

Mark Marku: Pyetja: Ti do shfaqesh pas një viti në zgjedhje para shqiptarëve. Tre mandate! Me të mirat dhe të këqijat e tre mandateve, por me një qeverisje të gjatë siç ka ndodhur me qeverisjen tuaj, disa probleme themelore rëndojnë, korrupsioni, emigracioni i gjeneratave të reja. Shumë probleme që krijon që qeverisja me tre mandate që është shumë. Çfarë do t’u thuash shqiptarëve për mandatin e katërt? Shqetësimi është: Do t’u thuash kështu jemi mirë dhe vazhdojmë kështu apo do thuash: Do bëjmë atë çfarë s’kemi bërë deri tani dhe çfarë do jetë gjëja që s’keni bërë.

Edi Rama: Kështu jemi mirë dhe vazhdojmë kështu unë përgjithësisht përpiqem të mos e them asnjëherë. Unë them po, që ne mund të mos jemi më të mirët, por më të mirë se ne s’ka, por jo kështu jemi mirë se nëse në momentin kur them përgjithësisht duhet të jetë kështu, por unë e kam kështu, në momentin kur unë mendoj që gjëja është mirë dhe ndjehem i kënaqur me gjënë unë s’kam më motiv kështu që në këtë aspekt nuk jam në rrezik. Besoj, shpresoj, uroj! Është e vërtetë që ne kemi probleme patjetër se do ishte e kotë t’i mohonim dhe nga ana tjetër nëse nuk i pranon problemet atëherë jo vetëm që nuk ke shans t’i zgjidhësh, por kthehesh në rrezik sepse problemet agravohen dhe faktikisht bëhen edhe kancerogjene te pashërueshme. Por unë besoj që ne i kemi dhënë një gjë shumë të madhe këtij vendi, besoj mundësi që nuk e ka pasur më përpara, që të ketë një drejtësi të pavarur nga pushteti politik dhe kjo është dhe arsyeja që për herë të parë ne kemi një drejtësi e cila vepron e pavarur nga pushteti politik. Se kemi pasur ministra të pushkatuar dhe më përpara dhe kanë qenë vullnet politik dhe drejtësia ka qenë pushka për t’i vrarë.

Kemi një moment shumë të rëndësishëm ndryshimi që sa është inkurajues aq është dhe fraxhil dhe garantimi i pa thyeshmërisë së këtij procesi për mua është i domosdoshëm. Nga ana tjetër sigurisht që lufta me korrupsionin nuk është thjeshtë lufta e drejtësisë, është një luftë për të pasur në gjithë frontin e institucioneve një soliditet dhe një kapacitet që ia ngushton maksimalisht korrupsionit hapësirat se në fund të fundit çfarë është korrupsioni në thelb? Korrupsioni në thelb është alternativë e një shërbimi të munguar. Alternativë e një të drejtë të mohuar, alternativë e një meritë të paplotësuar për atë që nuk e marr dot në rrugë të ligjshme dhe në rrugë të drejtë, atëherë përpiqem që ta marr duke shkuar duke paguar etj etj.

Por duke qenë një alternativë pa rregulla e mungesës së rrugëve të ligjshme të garantuar për të gjithë është dhe një alternativë padrejtësie e madhe. Kështu që, për këtë arsye kjo duhet të shkojë paralel. Unë besoj që kemi bërë shumë gjëra pozitive në këtë aspekt dhe në këndvështrimin tim dhe duke iu referuar të dhënave, fakteve ne jemi sot komplet tjetër situatë në raport me çfarë ishim por kjo nuk mjafton, është krejt e pamjaftueshme dhe duhet ta ngremë shumë më tepër stekën e luftës ndaj korrupsionit në të gjithë frontin jo thjeshtë tek drejtësia, por në të gjithë frontin

Dhe ky është, si të thuash, momenti që ma bën më tundues se çdo gjë tjetër, ose më saktë, njëri nga dy momentet dhe pozicioni në raport me mandatin e katërt, sepse në kushte tjera, nëse do të kisha bindjen që s’kam më, nuk varet më se a jam unë, a s’jam unë në krye të kësaj force politike dhe se disa gjëra si kjo ose diçka tjetër si plotësimi i atij mozaikut që i kemi nisur me imazhin e Shqipërisë, me turizmin, me ngritjen e nivelit të gjithë industrisë së turizmit do ishin garantuara në vazhdimësi, mbase nuk do të kisha nuk do të kisha më këtë tundim se në fund do ta bëj edhe një pyetje tjetër lidhur me këtë çlirimi nga kjo barra e presionit të përditshëm që ka politika më mirë, se pavarësisht se ti nuk e ke pas barrën e të qenit në një në një zyrë drejtuese, po prapë ai presioni në kokë është permanent dhe është kondicionues.