Në javën e El Clasico-s është e pamundur të mos kujtohet Mesut Ozil, futbollisti brilant që mahniti tifozët e Realit të Madridit dhe që pati ndeshjet më të mira të karrierës së tij kundër Barcelonës.
Përpara El Clasicos të së dielës që do të luhet në orën 21:00 në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’, Ozil shprehu mendimin e tij në një intervistë për ‘Marca’, se derbi ikonik spanjoll po kalon një periudhë tjetër, shumë më pak të lavdishme të historisë së tij.
Një vit më parë vendosët ta lini futbollin. A ju mungon?
E vërteta është se ende jo. Jam shumë krenar për karrierën time dhe për të gjitha klubet e mëdha për të cilat kam luajtur. Vendimin që mora një vit më parë e mendova shumë mirë dhe e dija saktësisht se çfarë doja. E shijoj jetën me familjen time në Stamboll në maksimum. Kam pasur oferta nga Arabia Saudite, Katari dhe liga të tjera, por nuk kam dashur dhe nuk jam penduar.
Çfarë keni bërë vitin e fundit?
Po kënaqem çdo sekondë me familjen time. Kam gjithashtu bizneset e mia që më mbajnë të angazhuar.
Jeni ende në kontakt me botën e futbollit apo po mbani distancë?
Diçka në mes. Ende shikoj ndeshjet, veçanërisht ato të Realit të Madridit, Arsenalit dhe Fenerbahçes. Në telefon, sigurisht, vazhdoj të mbaj kontakte me shokët e vjetër të skuadrës që janë bërë miq me kalimin e kohës.
E keni parë Mançester Siti-Real Madrid? Nuk kam nevojë t’iu pyes me kë ishit…
Po, ishte një ndeshje fantastike. Sitit tregoi pse askush nuk dëshiron të luajë kundër tyre. Ata dominuan lojën shumicën e kohës…. Por Madridi ishte shumë inteligjent, si gjithmonë. Unë bërtita ‘Hala Madrid’ pas penalltisë së Rudiger, kështu që mund ta imagjinoni se si e kam përjetuar ndeshjen. Mendoj se tani Real Madridi është favorit i madh. Besoj se ata mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve.
Jemi edhe në javën e “El Clasico”-s…
Në atë kohë ishte ndeshja më e rëndësishme në botën e futbollit. Kemi luajtur kundër Barçës më të mirë në histori. Barça e Pep ishte në një nivel tjetër, sigurisht ndryshe nga Barça aktuale. Mendoj se për momentin vëmendja mbarëbotërore është përqendruar më shumë në ndeshje si Liverpul-Siti apo duele të tjera në Premier League. El Clasico ka rënë dhe është turp. Por ky nuk është faji i Realit. Problemi është Barça.
A është Real Madridi favorit në këtë përballje?
Patjetër që po! Barcelona po lufton, po përpiqet. Ata kanë lojtarë të mirë në të gjitha pozicionet, por kanë probleme. Ndoshta duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje vetes dhe gabimeve të tyre dhe jo gjithmonë të ankohen për gjyqtarët.