Tre të rinj të moshave 20 vjeç, 16 dhe 17 vjeç janë arrestuar nga Policia e Vlorës dhe Forca e Posaçme Operacionale, pasi grabitën dy qytetarë dhe një pikë karburanti.
Adoleshentët, nën kërcënimin e një pistolete lodër me silenaciator, ju vodhën portofolin dhe një celular dy personave në rrugë. Më pas, kishin grabitur edhe xhiron ditore të një pike karburanti në Vlorë.
Policia, që u njoftua për këto ngjarje, u vu menjëherë në lëvizje dhe lokalizoi hajdutët adoleshentë.
Ata u kapën në lagjen “10 Korriku” duke udhëtuar me makinë Audi.
Të tre u arrestuan në flagrancë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë imituese pistoletë me silenciator, një shumë parash, portofoli dhe aparati celular, të dyshuar të vjedhura, një mjet prerës (thikë), 2 maska mjekësore dhe automjeti tip “Audi” që autorët kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.