Plani i diskutueshëm i qeverisë britanike për të transferuar në Ruanda, azilkërkuesit që kanë mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, ka marrë dritën jeshile në Parlament, pas një maratone kthimesh e rishqyrtimesh, midis Dhomës së Lordëve dhe Komunëve që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.
Plani i amenduar i ligjvënësve bëri një ecejake midis dy Dhomave të parlamentit, por ata përfundimisht ranë dakord të mos bënin ndryshime të mëtejshme, duke siguruar që projektligji të shndërrohet në ligj, pas dy vitesh betejash ligjore dhe grindjesh politike.
Projekti i kryeministrit, Rishi Sunak dhe konservatorëve, do t’i detyrojë gjyqtarët ta konsiderojnë Ruandën një “vend të sigurt”. Ndërkohë, zyrtarët që përpunojnë kërkesat për azil do të jenë në gjendje të injorojnë pjesë të ligjit ndërkombëtar dhe vendas për të drejtat e njeriut për të shmangur një vendim të Gjykatës së Lartë britanike që dëbimi i emigrantëve në Kigali është i paligjshëm.
Për të marrë dritën jeshile, qeveria britanike u përball me një betejë të vështirë parlamentare. Dhoma e Lordëve e kritikoi projektligjin si të pamjaftueshëm, duke theksuar në veçanti se Ruanda nuk mund të konsiderohej e sigurt derisa një organ i pavarur monitorues të thoshte se ishte kështu. Deputetët në Dhomën e Komunave, ku konservatorët kanë shumicën, votuan kundër çdo amendamenti dhe u kërkuan lordëve ta rimendojnë qëndrimin e tyre në një proces të njohur si “ping-pong parlamentar”.
Pas miratimit të “planit të Ruandës”, pyetja që shtrohet është se kur ka të ngjarë të ngrihet një avion nga toka britanike për në Kigali?
Duke folur teknikisht, fluturimi i parë mund të ndodhë 12 ditë pasi Mbreti Charles III ka dhënë miratimin mbretëror, i cili më pas e kthen zyrtarisht projektligjin në ligj.
Në praktikë, data e fluturimit të parë ka të ngjarë të jetë më vonë se kjo. Sipas kryeministrit Rishi Sunak, azilkërkuesit e parë do të largohen rreth 10 deri në 12 javë më pas, që do të thotë në fundin e qershorit ose fillimin e korrikut.
“Kjo është më vonë nga sa do të donim”, tha Sunak të hënën, duke pranuar se qeveria do të humbiste afatin e përcaktuar për një fluturim në pranverë.
Ideja për të dërguar emigrantë në Ruandë u prezantua për herë të parë nga ish-kryeministri Boris Johnson në vitin 2022, por kundërshtimet ligjore kanë penguar çdo fluturim të vazhdojë. Plani për të dëbuar azilkërkuesit, të cilët ikin nga konflikti, varfëria dhe moti gjithnjë e më ekstrem, pritet t’i kushtojë vendit 540 milionë £ për të dërguar vetëm 300 personat e parë në Ruanda.