Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, kërkon nga SPAK të sekuestrojë asetet e kompanive që lidhen me dosjen 5D.
Këlliçi akuzoi Prokurorinë e Posaçme se po bën hetime boshe dhe nuk po heton kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.
“SPAK dhe në këtë rast prokurori Klodian Braho, duket se janë mjaftuar vetëm me arrestimin e Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, duke kursyer për të disatën herë kreun e kësaj organizate kriminale, si dhe pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj.Nga kjo foltore, prej më shumë se 7 muajsh kam bërë publike dokumentacionin që e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë Erion Veliajn me inceneratorin e Tiranës. I rendita të gjitha këto fakte pasi ende sot nga SPAK nuk ka asnjë veprim për të sekuestruar asetet dhe paratë e kompanisë së Inceneratorit te Tiranës, por me flagrant është fakti se ende pas 1 muaji nuk kemi asnjë bllokim të aseteve të kompanisë së 5 Drejtorëve. E gjitha kjo është një drejtësi me regji, ku arrestojmë disa drejtorë që mbajnë burgun për shefin dhe paratë e pronarit faktit Erion Veliaj,nuk guxojnë të preken. I bëjmë thirrje SPAK, se hetime boshe për të arrestuar disa drejtorë, hajdutë banalë që i kanë shërbyer shefit, për të vjedhur dhjetëra e qindra miliona euro, nuk quhen drejtësi”, tha Këlliçi.