“Smart City” është një projekt i cili synon monitorimin e trafikut dhe sigurisë publike me anë të kamerave, pa pasur nevojën prezencës fizike të efektivëve të policisë.
Për këtë, Ministri i Brendshëm Taulant firmosi një marrëveshje në Abu Dhabi, ku tha se synohet rritja e sigurisë në komunitet, mbrojtja e jetës, pronës private si dhe monitorimi i trafikut rrugor. Ky projekt do të shtrihet në disa qytete në Shqipëri.
Pas ceremonisë, ministri Balla tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë shembulli më i mirë i ekselencës dhe standardit të lartë të sigurisë sa i përket monitorimit të trafikut dhe sigurisë publike.
“Memorandumi i Mirëkuptimit dhe bashkëpunimit që sapo kemi firmosur ka të bëjë pikërisht me një projekt të madh, i cili do të shtrihet në të gjitha qytetet kryesore të vendit si hap i parë, pastaj për t’u shtrirë në të gjithë vendin në një fazë të dytë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike përmes një sistemi monitorimi me kamera e radarë.
Radarët do të përdoren kryesisht përsa i përket garantimit të sigurisë rrugore në të gjitha qytetet ku do të zhvillohet ky projekt, ndërkohë që pjesa tjetër me kamera do të rritë sigurinë publike, por dhe do të na mundësojë një rialokim të forcave policore nga rrugët për shërbime të tjera, sepse do të jetë një monitorim 24 orë duke përdorur fjalën më të fundit të teknologjisë, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale si një hap i rëndësishëm drejt një sistemi të ri monitorimi dhe garantimi të sigurisë publike”, u shpreh ministri i Brendshëm.