Politika Bardhi padi në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës: Gjykata të rivendosë nderin...

Bardhi padi në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës: Gjykata të rivendosë nderin e saj

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka depozituar në Gjykatë Kushtetuese një padi ku kërkon heqjen e mandatit të deputetes së PS, Olta Xhaçka.

Padia erdhi pas vendimit të Parlamentit që rrëzoi dhe nuk lejoi të shkonte në Kushtetuese kërkesën e PD-së për të shqyrtuar mandatin e Xhaçkës.

Bardhi, i shoqëruar nga deputetet Çupi dhe Vokshi, tha se Gjykata Kushtetuese do të duhet të mblidhet me shpejtësi për të rivendosur, sipas tij, nderin në vend.

“Jemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën e 44 deputetëve kundër vendimit politik të Edi Ramës për t’i dhënë mbrojtje nga drejtësia deputetes së mazhorancës Olta Xhaçka. Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur veten sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një çështje që ka të bëjë me autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, pa asnjë vonesë të mëtejshme do duhet të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga shumica parlamentare. Nuk ka ndodhur kurrë që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndodh për herë të parë që teksa SPAK është duke hetuar grabitjen masive të një prone prej 11 mijë metër katrorë tokë nga familja  e ish-ministres së Jashtme, Kuvendi t’i përcjellë një mesazh duke refuzuar të zbatojë vendimet e drejtësisë”, u shpreh deputeti Gazment Bardhi.