Bota Gjermania vendi më i vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin udhëheqës, bie Amerika, Rusia...

Gjermania vendi më i vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin udhëheqës, bie Amerika, Rusia e fundit

Gjermania është vendi më i vlerësuar për rolin udhëheqës në skenën globale, sipas një ankete të re të Organizatës Gallup, të publikuar të martën. Anketa përfshinte njerëz nga 133 vende të botës.

Vlerësimi për rolin e Gjermanisë ishte në nivelin 46% në vitin 2023, ndërsa ai për Shtetet e Bashkuara 41%. Si ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania gëzon një vlerësim prej 60% për rolin e saj udhëheqës në kontinent, duke e tejkaluar atë të Shteteve të Bashkuara me një epërsi dyshifrore.

Shtetet e Bashkuara, një fuqi historikisht dominuese, përjetuan një rënie të lehtë në vlerësimet mbi rolin e saj udhëheqës në disa vende afrikane dhe Indi, vendi më i populluar në botë.

Vlerësimi negativ mbi rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara u rrit në 36%, duke shënuar një rritje prej 1% krahasuar me vitin paraprak.

Konflikti në Rripin e Gazës duket se ka ndikuar në vlerësimet mbi rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në disa vende. Organizata Gallup ka parë një rënie të lehtë në vendet e anketuara pas fillimit të konfliktit Izrael-Hamas.

Mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për Izraelin duket se e ka rritur vlerësimin për rolin saj udhëheqës në Izrael në 81%, por në territoret palestineze vlerësimi shënoi një rënie në nivelin 11%.

“Shtetet e Bashkuara shihen si zbatuese jo konsistente e ligjeve ndërkombëtare humanitare dhe ligjeve për të drejtat e njeriut, duke dënuar Rusinë për shkeljet në Ukrainë, por duke mos kritikuar aleatët si Izraeli për shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë”, thotë Maryam Zarnegar Deloffre, profesoreshë e çështjeve ndërkombëtare në Universitetin George Washington.

Vetoja e Shtetet të Bashkuara ndaj projektrezolutës për armëpushim në Rripin e Gazës, e mbështetur nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së, mund të ketë goditur besimin në ligjet ndërkombëtare, tha profesoresha Deloffre për Zërin e Amerikës.

Anketa ofron një imazh të zymtë për Rusinë, veçanërisht në Evropë, me një vlerësim negativ për rolin e saj në botë prej më shumë se 90%.

Megjithatë, në përgjithësi, vlerësimi për rolin udhëheqës të Rusisë në vitin 2023 ishte në nivel 22%, nga 21% që ishte në 2022.

Me 58% mbështetje Kina kishte vlerësimin më të lartë në Afrikë, e pasuar nga Shtetet e Bashkuara (56%), Gjermania (54%) dhe Rusia (42%).

Por Shtetet e Bashkuara kanë një avantazh në fuqinë e diplomacisë ndaj Kinës në shumicën e pjesëve të botës.

Aftësitë udhëheqëse të Shteteve të Bashkuara morën vlerësimet më të larta në Kosovë sesa në pjesën tjetër të botës. 84% e të anketuarve në Kosovë vlerësuan në mënyrë pozitive rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në skenën globale.

Vlerësimet më negative për rolin udhëheqësit të Shteteve të Bashkuara u shënuan në Federatën Ruse, ku 88% e të anketuarve thanë se nuk mbështesin rolin udhëheqës të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara gëzojnë mbështetjen më të madhe në Amerikën Jugore, Qendrore dhe atë Veriore, ku 39% e të anketuarve dhanë vlerësime të larta për rolin e tyre udhëheqës, të pasuar nga Gjermania me 29% mbështetje./VOA