Rusia ka vendosur veton në Këshillin e Sigurisë në OKB ndaj një rezolute që u paraqit për ndalimin e përdorimit të armëve bërthamore në hapësirë.
Projekt-rezoluta e paraqitur nga SHBA dhe Japonia synonte të riafirmonte një parim në Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, ku është e ndaluar përdorimi i armëve bërthamore në hapësirë.
Por Rusia vendosi veton ndaj votimit të kësaj rezolute, kurse Kina abstenoi. 13 shtete të tjera votuan pro. Veto e Rusisë shihet me skepticizëm se çfarë po fsheh Moska. Megjithatë, Rusia tha se është e vendosur fuqimisht ndaj traktatit ekzistues.
Ambasadorja amerikane në OKB e konsideroi të habitshëm vendimin.
“Vetë Presidenti Putin ka thënë publikisht se Rusia nuk ka ndërmend të vendosë armë bërthamore në hapësirë. Pra, vetoja ngre pyetjen pse? Pra, nëse ndiqni rregullat, pse nuk e mbështesni një rezolutë që i afirmon ato? Çfarë mund të fshihni”, u shpreh ambasadorja amerikane në OKB.
Ambasadori rus i OKB-së Vassily Nebenzia akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të njollosë Moskën dhe tha se Rusia së shpejti do të fillojë negociatat me anëtarët e këshillit për projekt-rezolutën e saj që synon të mbajë këtë hapësirë paqësore.
SHBA ka paralajmëruar më herët se besohet që Rusia po ndërton një armë bërthamore për në hapësirë. Ka qenë vetë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i cili në shkurt tha se arma që po ndërton Rusia është kundër satelitëve, megjithëse shtoi që nuk është ende funksionale.
Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967 ndalon nënshkruesit – përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara – të vendosin “në orbitë rreth Tokës çdo objekt që mban armë bërthamore ose çdo lloj tjetër të armëve të shkatërrimit në masë.
Përpara se këshilli të votonte për draftin e SHBA-së, Rusia dhe Kina kishin propozuar që ai të amendohej për të përfshirë një thirrje për të gjitha shtetet “të parandalojnë përgjithmonë vendosjen e armëve në hapësirën e jashtme dhe kërcënimin ose përdorimin e forcës, nga hapësira kundër Tokës dhe nga Toka kundër objekteve në hapësirën e jashtme.”
Këshilli votoi mbi amendamentin e propozuar, por ai nuk u miratua. Ajo mori shtatë vota pro, shtatë kundër dhe një abstenim.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane, sipas tre personave të njohur me gjetjet e tyre, besojnë se aftësia ruse është një bombë bërthamore e bazuar në hapësirë, rrezatimi elektromagnetik i së cilës nëse shpërthehet do të çaktivizojë rrjete të mëdha satelitësh.
Qeveritë i kanë parë gjithnjë e më shumë satelitët në orbitën e Tokës si asete thelbësore që mundësojnë një sërë aftësish ushtarake në Tokë, me komunikime të bazuara në hapësirë dhe drone të lidhur me satelitin në luftën në Ukrainë që shërbejnë si shembuj të fundit të rolit të jashtëzakonshëm të hapësirës në luftën moderne.