Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez njoftoi se do të pezullojë ushtrimin e detyrës deri në javën e ardhshme për të vendosur nëse dëshiron të vazhdojë të udhëheqë qeverinë pasi një gjykatë nisi një hetim ndaj së shoqes.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se po shqyrton mundësinë e dorëheqjes pasi një gjykatë hapi ndaj gruas së tij një hetim për mashtrim. “Më duhet të bëj një pushim dhe të mendoj”, shkroi Sanchez në një letër të shpërndarë në platformën e mediave sociale X, ku njoftonte se do të pezullonte ushtrimin e detyrave të tij publike deri të hënën, kohë në të cilën do të ketë marrë një vendim.
“Kam nevojë urgjente për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse… duhet të vazhdoj të drejtoj qeverinë, apo të heq dorë nga ky nder”, shkruan Sanches.
Pse po hetohet gruaja e Pedro Sanchez?
Gjykata njoftoi se kishte nisur hetimin “për shpërdorimin e mundësisë për ndikim dhe për korrupsionin” duke ju përgjigjur një ankese nga grupi kundër korrupsionit “Manos Limpias” (“Duart e Pastra”), kreu i të cilit ka lidhje me të djathtën ekstreme.
Konkretisht hetimi paraprak lidhet me pyetjen nëse Begona Gomez ka abuzuar me pozicionin e saj si bashkëshorte e kryeministrit për të siguruar sponsorë të dyshuar për një kurs masteri universitar që ajo drejton.
Sanchez: Fushatë e udhëhequr nga media “ultrakonservatore”
Kryeministri socialist Sanchez, i cili sapo ka formuar një qeveri të re të koalicionit të majtë pasi ofroi amnisti për separatistët katalanas në mërgim, tha në letrën e tij se ankesa bazohej në fakte “joekzistente” dhe ishte pjesë e një fushate “ngacmimi” kundër gruas së tij, fushatë e cila udhëhiqet nga media “ultrakonservatore” dhe mbështetet nga opozita konservatore e ekstremit të djathtë.
“Unë nuk jam naiv. Jam i vetëdijshëm që ata po ngrenë akuza kundër Begonës, jo sepse ajo ka bërë ndonjë gjë të paligjshme, sepse ata e dinë mirë se kjo nuk është e vërtetë, por sepse ajo është gruaja ime,” shtoi ai.
Prokurori popullore
Manos Limpias e quan veten si shoqatë, po aktiviteti i saj kryesor është ndjekja e çështjeve ligjore si një e ashtuquajtur “prokurori popullore”.
Kjo veçori e ligjit spanjoll i lejon individët ose subjektet të marrin pjesë si akuzues në çështje të caktuara penale edhe kur nuk janë dëmtuar drejtpërdrejt nga i akuzuari.
Gjithsesi shumë prej çështjeve që ndjek Manos Limpias lidhen me kauza të djathta.