Një operacion kërkim-shpëtimi i forcave të policisë, është finalizuar me sukses mbrëmjen e djeshme, pasi është arritur të nxirren nga vendi i quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, ku kishin mbetur të bllokuar, 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas njoftimit të policisë, turistët u bllokuan për disa orë për shkak të terrenit të vështirë malor dhe errësirës.
“Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe me Federatën Shqiptare të Alpinizmit, pas gati 5 orësh kërkime, deri pas mesnatës, kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e 5 turistëve të huaj, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.”