Kryesore Sulmet ndaj medias, gazetarët protestë para Parlamentit

Sulmet ndaj medias, gazetarët protestë para Parlamentit

Gazetarët në Shqipëri kanë zhvilluar një protestë simbolike gjatë mëngjesit të sotëm përpara hyrjes së Parlamentit.

Kjo protestë vjen një ditë përpara Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, lidhur me sulmet ndaj tyre dhe ndaj mediave.

Sulmet ndaj mediave kanë qenë kryesisht politike, por nuk kanë munguar edhe shantazhet apo kërcënimet nga krimi i organizuar dhe eksponentë të tjerë.

Në lidhje me këtë protestë në hyrje të Kuvendit reagoi dhe kreu i grupit të PD, Bardhi i cili u shpreh se sulmet ndaj mediave turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.

“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypi t është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësitë tuaja ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës. Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën. Në emër të grupit të PD keni mbështetjen e plotë tonën për të bërë punën tuaj”, tha Bardhi.

Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, është shprehur se qëndron kategorikisht kundër çdo lloji dhune ndaj mediave.

“Jo vetëm politika, por askusht nuk duhet të kërcënojë gazetarët. Nuk bën përjashtim as politika, as biznesi dhe askush tjetër. Unë në parim jam i përcaktuar që askush nuk duhet të bëjë as kërcënime, as të ngrejë alibira në raport me gazetarinë.

Sigurisht që edhe gazetaria ka shumë për të parë, si çdo fushë tjetër, por në kuptimin etik askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë as me dhunën e fjalës dhe as me dhunë të ndonjë lloji tjetër”, tha Koçi.