Aktualitet “Ishin të lumtur, s’kishin as fëmijë asgjë…”, flasin fqinjët e çiftit Ilia....

“Ishin të lumtur, s’kishin as fëmijë asgjë…”, flasin fqinjët e çiftit Ilia. Ende mister vdekja e tyre

“Ishin çift i lumtur, s’kishin as fëmijë asgjë, ishin njëri për tjetrin”. Kështu shprehet një fqinje e çiftit të të moshuarve, Kosta dhe Kleoniqi Ilia. Bashkëshortët, të moshës 84 dhe 88 vjeçe, u gjetën të pajetë mëngjesin e kësaj të enjteje në shtëpinë e tyre në fshatin Bodrisht të Dropullit, me shenja të shumta dhune në trup. Për mikrofonin e Klan News, gruaja thotë se ishin çift pa probleme dhe jetonin të vetëm.

“Jetonin vetëm, nuk kanë fëmijë. Nuk kujdesej njeri për ta. I gjeti fqinja, sepse e merrnin në telefon nga Athina, se ka një motër atje dhe nuk e ngrinin. Dhe i thanë shko dhe shiko si është puna”.

Banorja shprehet se askush nuk ka dëgjuar zhurmë, ndonëse bashkëshortët u gjetën me shenja të shumta dhune, që sipas policisë dyshohet të jenë bërë me mjete të forta rrethanore.

“Nuk dëgjuam asgjë, as këta që ishin këtu, se unë jam nga ana tjetër e fshatit”, shton gruaja.

Ajo pohon se ka pasur raste vjedhjeje në fshat, megjithatë i fundit që kujton është rreth 2 vjet më parë.

Në informacionin e saj për mediat, policia konfirmon se bashkëshortët Ilia kanë humbur jetën si pasojë e dhunës, por mbetet mister se kush e ushtroi këtë dhunë. Në shtëpi nuk rezulton të mungojnë orendi dhe as nuk është përdorur dhunë për të hyrë brenda.

“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore. Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet  intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Dropullit në një informacion paraprak për mediat./Tv Klan